Kosova

5 milionë euro në vit, danezët do të menanxhojnë qelitë që do të marrin me qira në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu duke raportuar sot në Komisionin për Legjislacion tha se dhënia me qira të 300 qelive të burgut për shtetin danez do të ketë kosto vjetore prej 5 milionë eurosh.

Ministrja shtoi se ndër arsyet pse Danimarka ka zgjedhur Kosovën është se kanë analizuar raportet ndërkombëtare dhe vendore rreth trajnimit të të burgosurve dhe Kosova në Ballkanin Perëndimor qëndron më së miri në këtë aspekt.

“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”, tha ministrja duke shtuar se ka qenë çështje në shqyrtim prej vitesh.

“Pasi u rrëzua qeveria, s’kemi mbajtur asnjë takim më, për faktin e rrethanave”, tha ajo.

“Pas përgatitjes së negociatave kemi ardhur të një letër – qëllim që jemi pajtuar për fuqizim të bashkëpunimit me Danimarkën për shkak të rolit të Danimarkës në Kosovë dhe jemi dakorduar që për shkak se ka nevojë të ndihmojmë në këtë drejtim, përmes një dhënies në shfrytëzim të një qendreje, jemi pajtuar që t’ia ofrojmë qendrën në Gjilan”, tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se Kosova ka të drejtën të refuzojë ndonjë të burgosur kur konsiderohet se është i dënuar për ndonjë vepër penale që është më e ndjeshme dhe Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime.

Haxhiu theksoi se drejtori i Qendrës do të jetë danez, po ashtu edhe stafi menaxhues, ndërkaq oficerët korrektues do të jenë të Kosovës.

Po ashtu gjatë raportimit në Kuvend, Haxhiu tha se të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë