Njerez

Në vigjilje të festave, Covid mbetet ‘Grinchi’ që vjedh atmosferën

Panorama e festimeve në këtë prag festash fundviti duket se ravijëzohet pesimiste në kushtet e pandemisë që vetëm po zvarritet. Gjithë çfarë shihet deri tani janë ca oferta të vakëta tek-tuk nga baret dhe restorantet ku u bëhet ftesë qytetarëve të festojnë brenda kornizave të orës 23:00 për të zbrazur më tej rrugët e për të pritur ndërrimin e viteve në shtëpi.

Covid-i i cili tashmë ka ndryshuar tendencat e sjelljes konsumatore duket se hë për hë do të vijojë edhe këtë vit të jetë “Grinchi” që do të vjedhë festën.

Tradita e daljes pas mesnatës në Sheshin Skënderbej për të parë spektaklin e fishekzjarreve po thyhet. Viti do të përsëdytet si ai i kaluari ku ora 00:00 i gjeti bosh rrugët e Tiranës me festat e zhvendosura në shtëpi.

Shoqata e bareve dhe restoranteve ka bërë kërkesë për zgjatjen e orarit të paktën natën e ndërrimit të viteve por mesa duket nuk është marrë në konsideratë.

“Sipas urdhrave në fuqi oraret do të jenë këto që janë, pra të gjithë restorantet dhe baret do të mbyllen në orën 23:00. Ne kemi bërë kërkesa përjashtimore të paktën për datën 31 dhjetor por në këto kushte kur e gjithë Europa po mbyllet dhe po karantinohet si pasojë e Omicronit, justifikimi është që vetëm ne jemi të hapur”,-thotë për Gazetasi.al Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Enri Jahaj, drejtuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

Mandej ai shton se krahasuar me vitin e kaluar situata paraqitet më e rënduar këtë vit pasi klienti ka ndryshuar sjellje në këto rrethana dhe tani është më i predispozuar për t’i kaluar festat në shtëpi, në ambiente më të sigurta, më pak të ekspozuara ndaj virusit dhe me njerëzit e afërt.

“Udhëzimet për kapacitetin e njerëzve që do të lejohen brenda nuk kanë ndryshuar dhe shpinoret e karrigeve do të vijojnë të jenë në distancë 1.5 metër larg nga njëra-tjetra.

Por ndryshe nga baret dhe restorantet, nga këto masa nuk janë prekur hotelet të cilët bëjnë organizime dhe festa deri vonë”, shton më tej ai.

Ofertat e para nga restorantet tani janë më të dedikuara për natën e Krishtlindjeve nga e cila na ndajnë pak ditë ndërsa pritet që nga java tjetër të jenë ofertat e dedikuara vetëm për natën e ndërrimit të viteve.

“Për Krishtlindje kemi përgatitur një menu specifike standarde dhe do të festojmë me muzikë live. Është e vërtetë që sjellja konsumatore ka ndryshuar. Rezervimet janë të ulëta në numër dhe kjo si pasojë e pandemisë.

Me përhapjen e Omicronit u përkeqësua akoma më tej situata. Tani është dhe kohë virozash dhe njerëzit i tremben gripit.

Nuk mungojnë edhe ata që porosisin delivery dhe katering për të gjithë familjen duke zgjedhur të mos i frekuentojnë fare ambientet e lokaleve.

Ushqimet janë kryesisht ato të përhershmet, gjeli i detit, lloje të ndryshme antipastash dhe sallatërash.

Për Natën e Vitit të Ri nuk kemi menduar ende për këngëtarin që do të na shoqërojë gjatë mbrëmjes por nuk e dimë ende se sa festive do të jetë atmosfera për shkak të orareve të limitura”, thotë për Gazetasi.al Andi, një kamarier nga Restorant Ulliri.

Nga restoranti “Ballkoni i Dajtit” i cili prej shumë vitesh është kthyer në një destinacion për natën e ndërrimit të viteve kjo edhe falë pamjes së Tiranës që servir, punëtorët thonë se festat këto dy vite nuk kanë patur të njëjtin entuziazëm dhe nuk kanë sjellë atmosferën e tyre tipike që supozohet të sjellin.

“Në lokalin tonë gjithnjë është festuar deri në orët e para të mëngjesit pasi njerëzit e shijojnë shumë pamjen dhe spektaklin e fishekzjarreve që nga këtu duket i mrekullueshëm.

Por që pas pandemisë po festohet gjithnjë e më shumë në shtëpi duke i penalizuar kështu akoma më tej restorantet. Orari është një pengesë më vete, në 3-4 orë mbrëmje festive nuk mund të japësh të gjithë ‘potencialin’ për të kënaqëur klientët.

Duhen pak më shumë orë në dispozicion që të ndizet atmosfera e njerëzit të vijnë në qejf. E akoma pa u arritur pika kulminante duhet të ngrihen për të ikur.

Ne përgjithësisht kemi ofruar paketa të ndryshme duke përfshirë edhe udhëtimet me teleferik, fushën e golfit apo menutë speciale.

Një paketë e ofruar nga “Ballkoni Dajtit” për natën e ndërrimit të viteve në kohën kur nuk kishte pandemi

Këtë vit duhet ta përshtasim më mirë atë që do ofrojmë duke parë edhe kushtet dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve”,-tha Lindita, një punëtore për Gazetasi.al.

Ndërkohë në Rogner organizimi është menduar me kohë, janë ftuar këngëtarët dhe është përzgjedhur menuja.

“Darka Gala e Vitit të Ri do të jetë 129 euro për person me pijet e përfshira. Duke nisur nga ora 20:00 mbrëmja do të nisë me kokteilin e mirëseardhjes dhe më tej do të vijohet me ushqimin.

Në menu kemi përfshirë 8 pjata dhe i kemi kushtuar rëndësi edhe programit argëtues ku do të këndojnë Dren Abazi, Kamela Islamaj dhe Keli Band.

Do të ndahen gjithashtu edhe shorte me dhurata, do të ketë animatorë cirku për të vegjlit dhe spektaktli i fishekzjarreve në kopësht.

Për fëmijët deri në 3 vjeç do të jetë pa pagesë ndërsa për fëmijët nga 4-12 vjeç do të ketë 50% zbritje”,-thotë një nga punëtorët për Gazetasi.al.

Ai shton gjithashtu se të gjithëve do t’u kërkohet certifikata e vaksinimit ose tamponi negativ.Rezervimet kanë nisur që tani sepse dhe kushti ka qenë të rezervojnë pesë ditë para.

Por ndërkohë që ka shumë njerëz që festën do e kalojnë jashtë, nuk mungojnë as skeptikët që preferojnë të rrinë në shtëpi.

Elora Elezi është një prej tyre e cila i qëndron stoike bindjes së saj për të festuar vetëm në ambientet e shtëpisë.

“Më parë preferoja të festoja jashtë por që kur ra pandemia jam përpjekur të jem e sigurt në zgjedhjet që bëj dhe të shmang sa më shumë kontaktet me njerëz.

Kam prindërit e burrit në shtëpi që janë të moshuar dhe nuk do doja t’i rrezikoja në asnjë mënyrë. As delivery nuk më pëlqen të porosis. Më mirë të gatuaj vetë sipas mënyrës time në mënyrë që të konsumojnë pa merak ushqimet”, shprehet ajo.

E pavarësisht zgjedhjeve të ndryshme të qytetarëve, çka tashmë është e qartë e për të cilën nuk ka shumë alternativa është se ndërrimi i viteve do t’i gjejë të gjithë qytetarët në shtëpi.

Të paktën kështu supozohet të jetë. Se sa do thyhen rregullat, mbetet për t’u parë…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë