Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe homologia e saj në Kosovë Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për abetaren e përbashkët.
Gjatë fjalës së saj Ministrja e Arsimit në vendin tonë Evis Kushi tha se i vlerëson të gjitha eksperiencat e mëparshme për abetaret ekzistuese por në kushtet e reja duhet një abetare e re dhe unike. Në mbledhjen e mbajtur në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, Kushi tha se kemi një kurrikul të re të bazuar në kompetenca dhe zhvillime të reja të metodave të mësimdhënies.
“Në nëntor ne promovuam së bashku një punë disa mujore për librin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare për diasporën, që gjithashtu do të shërbejë si një bazë dhe përvojë ekzistuese në mënyrë që dhe abetarja e re që do të nënshkruajmë të jetë një abetare cilësore dhe me standarde”, tha Kushi.
Më tej Ministrja shtoi se është përgjegjësi e ministrive që të garantojnë një konkurs të hapur dhe transparent për një abetare unike.
Ndërsa Nagavci shtoi se ministritë janë në koordinim edhe për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, duke përfshirë edhe trajnimin e mësimdhënësve.
“Është kënaqësi të mirëpresim në vizitë ministren Kushi, të cilën do ta bëjmë dhuratë për nxënësit tanë në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Do të kemi edhe një koncert të përbashkët në Gjakovë, aktivitet e tilla do të jenë të vazhdueshme”, shtoi Nagavci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.