Motosport

Hemilton braktis ceremoninë e fundvitit, gati ndëshkimi për pilotin anglez

Ljuis Hemilton rrezikon të ndëshkohet për mungesën e pajustifikuar në ceremoninë e fundvitit, që zhvillohet çdo vit në Paris mbrëmjen e 16 dhjetorit. Rregullat e Formulës 1 detyrojnë tre pilotët e parë të Botërorit të jenë të pranishëm në këtë ceremoni, por Hemilton dhe drejtuesi kryesor i Mercedesit, Toto Volf, e kanë braktisur eventin në shenjë proteste për vendimet e garës së Abu Dhabit.

Ljuis Hemilton me nenen Karmen Lokhart ne Windsor. Gazeta Si, 18 dhjetor 2021

Më shumë se një sanksion sportiv, me shumë mundësi do të jetë një gjobë për pilotin anglez. “Nëse ka shkelje rregullash, nuk do ta anashkalojmë, – ka thënë presidenti i ri i FIA-s, Mohamed ben Sulayem, për BBC-në. – Ka gjithmonë vend për falje, por rregullat janë rregulla. E di që Ljuis është shumë i trishtuar për atë që ndodhi, por të shohim. Jam president prej pak orësh dhe nuk mund të flas më shumë pa ditur faktet”.

Sipas artikullit 6.6 të reegullores, “pilotët që e përfundojnë kampionatin në vend të parë, të dytë dhe të tretë, duhet të jenë të pranishëm në ceremoninë e përvitshme të FIA-s për ndarjen e çmimeve”.

Mohamed ben Sulayem, presidenti i FIA-s. Gazeta Si, 18 dhjetor 2021

Ben Sulayem ka pohuar se është informuar nga Toto Volf se piloti nuk do të merrte pjesë në ceremoni. “Është e thjeshtë të jesh xhentil me njerëzit, – shton presidenti i FIA-s, – nuk kushton asgjë të jesh xhentil. Duhet edhe për motivim, por sigurisht, nëse ka një shkelje, nuk ka falje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë