Operatori i call center-it nuk është më pozicioni i punës që të rinjtë në Shqipëri po kërkojnë.
Në mbyllje të sezonit veror dhe deri më tani, sipas informacioneve për Gazetasi.al nga platforma e punësimit “Profesionisti”, pjesë e shoqërisë Çelësi Media Group në vendin tonë, kërkesa për këtë fushë ka rënë.
“Punëmarrësit nuk shikojnë asnjë lloj zhvillimi karriere dhe mendohet vetëm si një trampolinë apo rrugë provizore deri në gjetjen e punës që dëshirojnë realisht”, thotë Orneda nga “Profesionisti”.
Deri në fillimin e vitit 2021, në këtë fushë, ishin të punësuar rreth 25 mijë, ku pak më pak se 50% e tyre janë me arsim të lartë. “Goditja” e parë që mori ky sektor ishte në nëntor të këtij viti kur nisi hetimi i këtyre subjekteve nga Struktura e Posaçme Anti-korrupsion. Nga të dhënat joformale të operatorëve në call center, shumë prej tyre “u shkurtuan” ose zgjodhën vetë të tërhiqen nga kjo fushë duke treguar se kërkesë-oferta për këtë punë është në rënie për të dyja palët.
Ajo shton se dhe për punën në sektorin e shërbimeve nuk ka më interes, sepse shihet si diçka provizore, sezonale dhe më pas gjatë gjithë vitit të mbetur janë të papreferueshme për punëkërkuesit. Në fakt, sipas bizneseve në këtë sektor, rënia e kërkesës ka rënë që në mesin e sezonit veror 2021. Ky sektor ka qenë gjithmonë ndër më të eskploruarit, por për tremujorin e tretë të këtij viti, rritja ishte vetëm me 0.5% nga tremujori i tretë i vitit të kaluar. Ndërkohë, ky sektor është i dyti më me peshë në PBB-në e Shqipërisë, gati 17% e saj dhe siç duket nuk po përjeton ditët e veta më të mira, ndonëse kërkesa për to është rritur tepër, sidomos post pandemisë. Disa biznese të shërbimeve në kryeqytet pranojnë se ata janë detyruar të rrisin pagat e punonjësve të tyre për t’i mbajtur ato në punë.
Punëmarrësit dhe punëdhënësit janë të interesuar për të njëjtat vende pune.
Profesioneve që po u jepet më shumë hapësirë dhe shihen me më shumë potencial janë ato të fushës teknologjike dhe komunikimit.
Orneda tregon për Gazetasi.al se ka një interes të lartë në teknologjinë e infromacionit, zhvillues programesh, social media marketing dhe graphic, web design. Trend që sipas saj, shkon në përputhje me digjitalizimin në rritje të aktiviteteve ekonomike dhe jo vetëm.
Duke ndjekur dhe hapat e kompanive nëpër vende të tjera, sidomos pas pandemisë, edhe ato shqiptare po përshtaten me hapësirat në rrjet. Deri para pandemisë në ndërmarrjet në vendin tonë, puna online ishte e shpërndarë në më pak se 90%, për të shkuar në 99% në mesin e 2020-s.
Sipas Instat, për tremujorin e tretë 2021, edhe pse paga e një punonjësi në këtë fushë, ka rënë me 3.4% nga e njëjta periudhë e 2020-s, kërkesa për të punuar në të vetëm është rritur.
“Financa është një ndër profesionet që besoj dhe mendoj se nuk do ketë asnjëherë rënie. Po ashtu është në rritje dhe kërkesa për inxhinier ndërtimi, specialistë, për shkak të rritjes së numrit të ndërtimeve por dhe kërkesave që ka tregu jashtë”,-tregon përfaqësuesja e agjencisë së punësimit.
Fusha e retail dhe distribucionit ka rritje të kërkesave për punësim, por kjo për shkak të numrit të madh të kompanive në sektorin retail dhe distribucionit të produkteve të ndryshme.
Në periudhën post pandemike, tregut të punës dhe vetë punonjësve i’u imponua ndryshimi dhe përshtatja me rrethanat e reja, duke rifromuar sistemet financiare dhe kulturore të botës së biznesit. E njëjta erë po merr dhe Shqipërinë, e cila duket se po përshtatet shumë shpejt me të quajturën, epoka digjitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




