Në mbledhjen e fundit të qeverisë u morën disa vendime për paketën e solidaritetit në fund vit të drejtuar në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit e sporteve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se nga paketa e solidaritetit të fund vitit do të përfitojnë 3,000 lekë (të reja) të gjithë familjet që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike si dhe personat me aftësi të kufizuara.
“Janë rreth 66 mijë familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike, të cilat do të përfitojnë nga paketa e solidaritetit. Gjithashtu të gjithë ata përfitues të skemës së pagesave të aftësisë së kufizuar, janë rreth 72 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimet e fund vitit”, bëri me dije Manastirliu.
Fondi që qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion për shpërblimin e fundvitit për këto kategori është rreth 4 milionë dollarë, pa përfshirë këtu kategorinë e pensionistëve.
Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi foli për miratimin e disa ndryshimeve për kriteret dhe shpërblimet e sportistëve.
“Qëllimi është t’i motivojmë sportistët sa më shumë e t’i krijojmë mundësi për të ushtruar sportin. Ndryshimet që bëmë sot janë në përputhje me detyrimet tona qeveritare. Masat e shpërblimit janë parashikuar sipas fashave të rezultateve. Në mënyrë të veçantë dua të ndalem tek peshëngritja, sepse për herë të parë sportistët medalistë do të shpërblehen për të gjitha garat, sepse me vendimin e mëparshëm ata shpërbleheshin vetëm për 2 garësh”- u shpreh ministrja Kushi.
Më tej ajo shtoi se sportistët elitarë do të shpërblehen njësoj si sportistët europine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.