Reshjet e dendura të shiut në 24 orët e fundit kanë përmbytur dhe bllokuar me dhjetëra akse rrugore në jug të vendit, ndërkohë që në zonat veriore, verilindore dhe juglindore vijojnë prej orësh reshjet e dëborës.
Ministria e Mbrojtjes, njofton se situata është nën kontroll në të gjithë territorin, ndërsa po ndiqet me prioritet gjendja në qarqe të caktuara për shkak të prurjeve të shumta të lumenjve.
Në të gjithë vendin, hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë, duke ruajtur nivelin mesatar të kuotave, rezervuarët po monitorohen dhe janë nën kontroll.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi normal në të gjitha akset nacionale dhe rurale. Me përjashtim të disa rasteve edhe furnizimi me energji në të gjithë vendin vijon normalisht, po ashtu edhe furnizimi me ujë nuk ka ndërprerje.
Shi dhe përmbytje në jug
Prurjet më të shumta, janë ato të lumit Vjosa, por niveli i ujit është brenda kufirit maksimal pa rrezikshmëri. Edhe lumenjtë e tjerë janë në nivele mesatare dhe nuk paraqesin rrezik për dalje nga shtrati. Në Këlcyrë forcat zjarrfikëse dhe të bashkisë po punojnë për pastrimin e ujit në një banesë për shkak të bllokimit të tubacioneve.
Emergjencat Civile ndodhen në terren dhe në gatishmëri në qarkun e Gjirokastrës, pikërisht në segmentet rrugore Kolonjë-Golem, në njësinë Cepo, në njësinë Qytet apo në Lazarat, ku vijon puna për të mbajtur të zhbllokuar akset si shkak i prurjeve të shumta.
Edhe në Dropull janë vënë në gatishmëri mjetet për pastrimin e ujit si shkak i daljes së përroit Sopot. Në njësinë administrative Pogon, Zagori, Dropull i Poshtëm e Dropull i Sipërm, fshatin Nderan të bashkisë Libohovë po punohet nga ana e punonjësve të OSHEEE për furnizimin me energji elektrike.
Zona e Kordhocës, lagje e poshtme e Lazaratit ka mungesë të energjisë elektrike, ndërsa përrroi i Sopotit, ndonëse ka prurje, nuk ka arritur pikën kritike dhe situata është normale.
Reshjet e shumta kanë sjellë probleme në bashkinë Selenicë, ku po ndiqet më vëmendje situata në fshatin Mesaplik, ku prurjet e lumit Shushica dëmtuan urën.
Përmbytje në Lezhë
Reshje të dendura shiu kanë përfshirë sot edhe qarkun e Lezhës, ndërsa raportohet se deri më tani niveli i ujërave në lumenjtë Drin, Gjadër, Mat dhe Drojë, janë në kuotën normale.
Problematike situata paraqitet në zonën depresive të kënetës së Kakarriqit, njësia administrative Balldre, ku janë rreth 150 ha tokë nën ujë.
Rrugët nacionale dhe ato rurale dhe ato bashkiake janë të kalueshme, ndërsa nuk ka probleme as në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Në Veri nuk pushojnë reshjet e dëborës
Ndërsa situata paraqitet ndryshe në veri të vendit, ku ka pasur reshje të dendura dëbore në qarkun e Kukësit. Lartësia e borës në Shishtavec ka shkuar në 15 cm, në Valbonë 20 cm dhe në Qafë Prush të Hasit 15 cm.
Deri më tani nuk raportohet për probleme në rrugët nacionale dhe janë të gjitha të kalueshme, ndërsa vijon puna për pastrimin e dëborës, hedhjen e kripës dhe largimin e inerteve të rëna në disa segmente.
Po ashtu edhe rrugët rurale janë të qarkullueshme, ndërsa problem për mirëmbajtje ngelet segmenti rrugor Fierz-Lekbibaj. Nuk raportohet për probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm dhe po ashtu është nën monitorim gjendja e rezervuarve në të gjithë qarkun.
Në juglindje, probleme dhe vështirësi në qarkullim
Reshjet e dëborës kanë vijuar përgjatë gjithë natës edhe në juglindje të vendit. Në Dardhë trashësia e dëborës ka shkuar deri në 35 cm ndërsa kalueshmëria e mjeteve mundësohet vetëm me zinxhirë.
Sa i përket zonave të tjera si Voskopoja apo Qafa e Qarrit kalueshmëria e mjeteve bëhet pa zinxhirë ndërsa trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15 cm.
Reshjet me intensitet kanë qenë edhe në zonat e larta malore të Pogradecit ku trashësia varion nga 10 deri në 25 cm. Për pasojë janë krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në Qafë Thanë por aksi nuk është i bllokuar.
Probleme ka në njësitë administrative të Velçanit dhe Dardhasit të cilat janë pa energji elektrike dhe dëbora në këto zona arrin deri në 20 cm.
Në Velçan është paralizuar lëvizja e mjeteve. Mungesë e energjie ka edhe në 3 fshatra të njësisë Proptisht, në këtë njësi qarkullimi është i mundur. Në njësinë Trebinjë dëbora ka arritur në 20 cm dhe ka vështirësi në lëvizje.
Rruga e Dunicës në këtë njësi është bllokuar pasi në një pjesë të segmentit rural ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh.
Një njësinë Dardhas deri në qendër të njësisë mjetet qarkullojnë, ndërsa në fshatrat e sipërm të saj Niçë, Osnat, Dërdushë, Stërkanjë nuk realizohet qarkullim mjetesh si pasojë e borës pra fshatrat aktualisht janë të izoluar. Ndërkohë, mungesë energjie ka në disa fshatra të Devollit , Maliqit dhe Mokrrës.
Rruga e Arbrit kalohet vetëm me zinxhirë në Dibër
Reshje të dendura shiu dhe bore kanë përfshirë Qarkun e Dibrës në 24 orët e fundit. Në lartësi mbi 800 metra ka patur reshje dëbore. Trashësia në zonat e thella varion deri në 40 cm.
Në Kalanë e Dodës, Lurë dhe Selishtë bora ka kaluar 40 cm. Aksi nacional Peshkopi – Tiranë nga Burreli, kalimi është pa probleme. Që prej të shtunës, policia ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve se Rruga e Arbrit kalohet vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.
Aksi Klos – Tiranë nga Rruga e Arbrit, kalimi bëhet me zinxhirë, në by-passin e Qafës së Murrizit.
Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës ka mbi 40 cm borë, kalimi bëhet vetëm me zinxhirë.
Aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës kalimi me zinxhirë.
Aksi Ura e Çerenecit – Steblevë – Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë.
Mungon energjia elektrike në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës dhe Sllovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.