Motosport

Vershtapen ngre zërin: Unë penalizohem, të tjerët jo! Hemilton s’e mendon incidentin

Maks Vershtapen ngre zërin. Nuk e ka bërë në konferencë shtypi, ku përkrah rivalit Ljuis Hemilton ka pasur një sjellje diplomatike, por në intervista të tjera për televizione të ndryshme.

“Qartësisht rregullat nuk vlejnë për të gjithë. Manovra ime mbrojtëse është bërë edhe nga pilotë të tjerë, por për ata nuk ka pasur asnjë sanksion. Nuk e kuptoj, nuk e meritoja atë penalitet, aq më shumë që dy pilotëve të tjerë nuk u ka ndodhur asgjë në krahasim me mua”, – ka thënë Vershtapen, duke iu referuar Leklerk dhe Rasëll.

Holandezi është gati për sfidën e madhe të titullit: “Nuk besoja se do të arrija deri këtu. Red Bull-i ka arritur rezultate shumë të mira, pastaj kemi qenë edhe shumë të pafat”, – shprehet Vershtapen, që më tej largon hipotezën e një incidenti të mundshëm me rivalin: “As që e mendoj, jam i përqendruar mbi atë që mund të bëj dhe që kam nën kontroll”.

Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton, dy rivalet per titullin ne F.1. Gazeta Si, 10 dhjetor 2021

Edhe Ljuis Hemilton nuk e mendon se finalja e këtij Botërori mund të vendoset nga një përplasje e mundshme, që do të nxirrte jashtë garë atë dhe holandezin. “Unë mund të flas për atë që bëj në pistë, nuk mund të kontrolloj atë që ndodh rreth meje. Jam shumë i qetë”.

Dy rivalët shkojnë me pikë të barabarta në garën e fundit dhe në rast se klasifikimi mbetet i tillë, atëherë titullin e fiton Vershtapen, falë 9 fitoreve. “Askush nuk ka fituar 8 tituj në të kaluarën. Jam i lumtur që kam arritur deri këtu, të luftoj për Botërorin. Duhet të falënderoj skuadrën time për këtë. Nuk jam i shqetësuar, kemi rikuperuar shumë dhe vazhdojmë të besojmë. Shpresoj që në garën e fundit të mos ketë penalitete”, – ka thënë Hemilton mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë