Sociale

Pozitiviteti 11.5 për qind, dy të vdekur nga Covid në 24 orët e fundit

Dy persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit për shkak të Covid, njëri prej të cilëve një 40-vjeçare nga qyteti i Ballshit. Lajmi tjetër i keq është se në raport me numrin e testimeve, rastet pozitive mbeten të larta.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë një qytetare nga Ballshi 40 vjeç dhe një qytetar nga Librazhdi 65 vjeç.

Ndërkohë, nga 1928 testime të kryera, 222 raste kanë rezultuar pozitive, ose një pozitivitet rreth 11.5 për qind.

Ministria e Shëndetësisë apelon që çdo qytetar mbi 16 vjeç mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore, ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar. Ajo thotë se vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë fatalitetet dhe shtrimet në spitale.

Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku. Gjithashtu ka nisur vaksinimi me dozën e tretë për të gjithë qytetarët +18 vjeç që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë.

Ndërkohë, janë 5,709 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 142 pacientë, nga të cilët 11 janë në gjendje më të rënduar, ndërsa janë shëruar 493 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 194,026 që nga fillimi i epidemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë