Një cirkuit më efikas, më i rrëshqitshëm dhe më i shpejtë në krahasim me të kaluarën. Kjo është ajo që e pret Maks Vershtapenin dhe gjithë pjesën tjetër të Botërorit për spektaklin e fundit në Abu Dhabi. Pista e Yas Marina, ku piloti holandez i Red Bull-it e mbylli me një fitore garën e fundit të sezonit, është modifikuar dhe asfaltuar sërish nga gushti në tetor të këtij viti.
Një “lifting”, që në një sfidë ku asgjë nuk mund t’i lihet rastësisë, mund të marrë një rol shumë të rëndësishëm, madje vendimtar për fatet e titullit. Janë tre sektorët e cirkuitit, që janë ridizenjuar dhe asfaltuar në kujdesin e specialistëve. Modifikimet strukturale kanë sjellë një shkurtim të lehtë të pistës dhe një reduktim të numrit të kthesave nga 21 në 16.

Kthesat e mëparshme 5, 6 dhe 7 tashmë janë bërë në një të vetme (kthesa 5). Në opinionin e projektuesve kjo e bën më të shpejtë garën dhe krijon më shumë mundësi për parakalime. Po ashtu, e gjithë pjesa nga kthesa 12 te kthesa 15, është “përmbledhur” në kthesën 9, e ngjashme me kthesën 3 të pistës së Zandvort në Holandë dhe kthesën 13 të Jedah.
Eliminimi i kthesave të mëparshme të cirkuitit do t’i lejojë pilotët të kenë më shumë shpejtësi shkëputje nga kthesa 11, duke shtuar kështu edhe shanset e parakalimit. Pjesa e tretë dhe e fundit e pistës, ku ka pasur ndërhyrje, është ajo e kthesave 17, 18, 19 dhe 20, që tashmë janë bërë kthesat e reja 12, 13, 14 dhe 15.

Sipas specialistit Jarno Xepeli, modifikimet e bëra do të garantojnë më shumë ekuilibër mes makinave, veçanërisht mes Red Bull-it dhe Mercedesit. Në të kaluarën, Mercedesi ka qenë lehtësisht favorit në Abu Dhabi, në dy pjesët e drejta të gjata të pistës, kurse Red Bull-i ka qenë më i shpejtë në pjesët me kthesa dhe sidomos në sektorin e tretë të Yas Marina.
Maks Vershtapen dominoi 12 muaj më parë (u nis i pari) në etapën e fundit të Botërorit, që nga fikja e semaforëve te flamuri me kuadrate. Por duhet thënë se Hemilton e kishte fituar titullin 2 muaj më parë në Turqi dhe pasi humbi dy garat e Sakhirit për shkak të Covid-it, ai garoi në kushte jo të mira. Anglezi zuri vendin e tertë, duke lejuar Valteri Botasin të merrte pikët e nevojshme për ta mbyllur Botërorin pas shokut të skuadrës dhe përpara Vershtapenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




