Përhapja e variantit “Omicron” në shumë vende të botës ka bërë që Qeveria e Kosovës të marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e tij
Si rezultat i këtyre masave, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e herët se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit të plotë.
Gjithashtu sipas masave të reja, mbajtja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është e detyrueshme në të gjitha rastet, përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm ose kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies ose pijes.
Në ambientet e mbyllura ndalohet rreptësisht hyrja pa maskë. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në orën 05:00, përveç në raste urgjente.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.
Shfrytëzimi i transportit publik lejohet vetëm me dëshmi vaksinimi. Këto masa kanë hyrë në fuqi nga dita e sotme, 06 dhjetor 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




