Sopranoja Ermonela Jaho iu është bashkuar zërave të të rinjve artistë me aftësi të kufizuara për të sjellë këngën e njohur shkodrane “Lule borë” më bukur se asnjëherë në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar.
“Çdo shpirt njerëzor ka diçka unike për t’i komunikuar botës përmes artit dhe muzikës, duke e bërë atë një vend më të mirë për të jetuar”, shkruan sopranoja Ermonela Jaho.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara mesazhet e fuqishme erdhën nën moton: “Askush të mos mbetet pas”.
Të rinj nga disa kategori të aftësisë së kufizuar, artistë të talentuar, disa prej tyre diplomuar ose që studiojnë në Universitetin e Arteve, në bashkëpunim edhe me sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho, sjellin në një doku-klip dëshmitë e tyre për vështirësitë që ka jeta e një artisti me aftësi të kufizuara, si dhe shfaqin talentin e tyre me një interpretim fantastik.
Kjo video vjen në kontekstin e një programi të përbashkët të OKB-së që zbatohet nga UNDP dhe agjenci të tjera të OKB- së në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.
Sopranoja me famë botërore i ka përqafuar kauzat qysh herët dhe shpesh në Shqipëri do ta sillnin koncertet e bamirësisë. Vite më parë ishte ylli i koncertit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit organizuar nga Caritas, për fëmijët me aftësi ndryshe. Më pas, do të mbështeste kolegun e saj Saimir Pirgu, në koncertin e bamirësisë për fëmijët me sindromën Down, duke shprehur dëshirën që t’u bashkohej në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.