Drejtësia

Shorti nuk lëviz anëtaret e Kushtetueses në KED. Binaj Kryetar, rikthehet edhe Arta Marku

Presidenca hodhi shortin për anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Shorti u drejtua nga Këshilltari Juridik i Presidentit, Bledar Dervishaj, ndërsa në sallë ishte i pranishëm, edhe Presidenti Ilir Meta dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera të pavarura që ligji i ngarkon me monitorimin e këtij procesi.

Të shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin dorëzuar emrat për t’u zgjedhur nën dy vendet që i takojnë kësaj gjykate në KED. Në fund, goglat vendosën që nga Gjykata Kushtetuese dy anëtaret aktuale të KED të vazhdojnë në këtë detyrë edhe për vitin e ardhshëm. Gjqtaret Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska u rizgjodhën si anëtare, ndërsa Altin Binaj u zgjodh anëtar zëvendësues në vend të Fiona Papajorgjit.

Edhe në listën e kandidatëve të dorëzuar nga Gjykata e Lartë, e gjithë trupa prej 9 anëtarësh e kësaj gjykate shfaqi interesin për të zënë një vend anëtar, që njëkohësisht merr automatikisht edhe postin e kryetarit. Shorti zgjodhi gjyqtarin Sokol Binaj si anëtar dhe zëvendësues gjyqtarin Sandër Simoni. Binaj do të jetë gjithashtu edhe kryetar i KED-së, sipas përcaktimeve të reformës në drejtësi.

Lista ishte e gjatë edhe nga kandidatët e dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme, mes të cilëve edhe vetë kryeprokurori Olsian Çela. Në fund, shorti zgjodhi si anëtare prokuroren Anila Leka dhe anëtar zëvendësues prokurorin Thoma Jano.

Gjykatat e Apelit kanë dy vende në KED, ku shorti caktoi Edlira Petrin dhe Enton Dhimitrin si anëtar dhe Ridvan Hadon si anëtar zëvendësues të tyre.

Arta Marku rikthehet në KED pas një viti mungesë. Ish-kryeprokurorja që ishte anëtare e këtij institucioni në vitin 2020 është rizgjedhur së bashku me prokurorin Etjen Kapo si anëtarë nga radhët e Prokurorisë së Apelit dhe Gentian Xholi është zgjedhur si anëtar zëvendësues.

Nga Gjykatat Administrative, gjyqtarja Klodiana Mema është zgjedhur anëtare dhe Eerabër Madhi zëvendësues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë