Komiteti Teknik i Ekspertëve ka njoftuar se do të shtohen kategoritë për vaksinimin e detyruar. Zëvendësministrja Mira Rakacolli tha se punonjësit e administratës, punonjësit në qendrat tregtare dhe ata në supermarkete kanë afat deri në 31 dhjetor për t’u vaksinuar.
Më tej Rakacolli tha se nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet: Afrikë e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Botsvana, Senegal duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
“Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njësitë shëndetësore”, shtoi Rakacolli.
Për sa i përket gjendjes epidemiologjike në vend, Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se situata në vend është e qëndrueshme, por ka rritje të rasteve të reja tek fëmijët.
“Është një rritje tek grup moshat e reja dhe pediatrike, 0-4, si dhe nga 5-15 vjeç. Kemi pasur vatra në disa shkolla, të cilat janë menaxhuar siç duhet, duke u zbatuar të gjitha udhëzimet e dhëna nga ISSH. Kemi rritje të mbulesës vaksinale, ku shkon deri në 48%. Kemi rritje në bashkitë e mëdha dhe një rritje mbi nivelin kombëtarë që shkon mbi 52%. Kërkojmë të kemi një rritje të numrit të të vaksinuarve. Nga ana tjetër infeksionet, ndërhyrëse janë 10 herë më të larta, tek ato që janë të pa vaksinuar. Ka filluar procesi i dozës së tretë, e cila po ecën me ritme të njëjta me aplikimin e dozës së parë dhe të dytë”, shpjegoi Bino.
Më tej Bino shtoi se përhapja e variantit të ri Omicron, duhet të na gjejë akoma më të mbrojtur, ndaj është thelbësore, vijimi i vaksinimit me dozë të parë për çdo qytetar nga mosha + 16 vjeç, si dhe për fëmijët +12 vjeç me sëmundje që cenojnë imunitetin.
Ndërsa në lidhje me situatën në spitalet Covid 1 dhe Covid 3, Dhimitër Kraja, tha se situata mbetet e qëndrueshme.
“Prej disa javësh kemi një gjendje të qëndrueshme, si rastet që shtrohen apo rastet me komplikacione. Një e dhënë e rëndësishme, rreth 94% e rasteve që shkojnë në spital janë të pavaksinuar. Kjo tregon vlerën e madhe të vaksinës për të mos u shtruar në spital. Unë i bëj thirrje të ndalet kjo tendencë e mosvaksinimit nuk ka arsye të mosvaksinohesh. Rastet që mund të shmanget vaksinimi janë shumë speciale, që vetëm një specialist mund të ndërhyjë. Nuk mjafton vaksinimi, shumica e personave në spital tregojnë që jo vetëm nuk janë vaksinuar por kanë shmangur edhe masat parandaluese apo higjiena”, tha Kraja.
Ndërkaq mbeten në fuqi masat si:
-Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
-Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
•Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
•Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
•Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
•Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
•Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
-Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
-Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
-Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. -Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.