Sociale

Skandali me pedofilin, Kushi firmos urdhrin: Të dënuarit ndalohen të japin mësim

Tre ditë pas skandalit në Berat, ku një ish-mësues i dënuar për pedofili dhe ngacmim seksual u punësua në shkollën “22 Tetori” nga DAR-i, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka firmosur një urdhër që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve.

Në një status në Fb, Kushi ka publikuar vendimin, që shkaktoi zemërim të madh në opinionin publik. “Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore”, - shkruan ajo.

Ministrja thekson se vendimi shmang rrezikun “që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor”. 

Kushi thotë se mbetet e angazhuar për të ndërmarrë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.

Të dielën, pak pas publikimit të skandalit të rikthimit në detyrë të mësuesit Ëngjëll Bregu, i dënuar më parë për pedofili dhe ngacmim seksual, ministrja Kushi njoftoi largimin i tij nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë