Futboll

Luftë nervash në Korçë, Skënderbeu i merr pikë Tiranës kryesuese

Është mbyllur pa fitues ndeshja mes Skënderbeut dhe Tiranës në Korçë, e vlefshme për javën e 10-të. Pas një 90-minutëshi shumë të luftuar, me momente tensioni dhe pretendime për penallti, dy skuadrat kanë ndarë nga një pikë, por barazimi 0-0 duket se nuk ka kënaqur asnjërën prej tyre.

Skënderbeu, pasi mundi Kukësin dy javë më parë, ka arritur të freenojë edhe Tiranën, duke treguar se meriton ndoshta diçka më shumë se vendi që mban aktualisht në fundin e tabelës së klasifikimit. Për Tiranën ky barazim ishte një kambanë alarmi, sepse në 2 ndeshjet e fundit nuk ka marrë më shumë se 1 pikë.

Moment nga ndeshja Skenderbeu-Tirana 0-0. Gazeta Si, 27 nentor 2021

Në momente të caktuara të ndeshjes, lojtarët e Tiranës u panë shumë nervozë, madje Ngo dhe Totre nisën të debatonin edhe me njëri-tjetrin në fushë. Në këtë ndeshje tifozëria korçare ishte më e zjarrtë se herët e tjera, pasi dihet rivaliteti me Tiranën.

Bardheblutë janë ngjitur në kuotën e 21 pikëve, por nëse Kukësi fiton të dielën ndaj Egnatias, atëherë diferenca do të jetë vetëm një pikë dhe presioni do të fillojë të rritet për skuadrën e Shehit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë