Policia e Kosovës tha se deri tani nuk ka arsye për të besuar se sulmi me armë ndaj një autobusi me nxënës në Gllogjan të Deçanit, mbrëmjen e se premtes, të jetë një akt terrorist. Tre persona mbetën të vrarë si pasojë sulmit me kallashnikov drejt autobusi. Viktima mbetën dy nxënësit Ledion Hamzaj, 16 vjeç dhe Gentiana Mustafaj, 17 vjeç si edhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj. Një person tjetër mbeti i plagosur por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mediat kosovare shkruajnë se nxënësit po ktheheshin nga shkolla dhe këtë rrugë ata e bënin çdo ditë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj, ka dhënë detaje të reja për ngjarjen, ku theksoi se po hetohet në dy-tre pista. Ndërkohë, në të gjithë vendin po zhvillohen aksione për të bërë të mundur identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.
Ndërsa zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, u shpreh se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.
Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar se një person i plagosur në incident ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është e qëndrueshme.
Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.
Autobusi ka qenë duke qarkulluar në aksin Gjakovë-Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.
Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




