Janë 12 kombëtare në garë për të shkuar në Katar, të ndara në 3 mini-grupe, me gjysmëfinale dhe finale me ndeshje teke. Vetëm 3 vende të lira.
Rritet tensioni për shortin që hidhet sot pasdite në Zyrih, ku do të përcaktohen çiftet e “play-off”-it të kualifikueseve për në Botërorin e Katarit 2022. Në këtë short përfshihet edhe Italia kampione e Europës, që zuri vendin e dytë në fazën eliminatore.
Në short bëjnë pjesë 10 skuadrat e vendeve të dyta në grupe dhe dy skuadra që vijnë nga Liga e Kombeve, konkretisht Austria dhe Çekia. Në lojë janë vetëm 3 vende. Këto 12 skuadra do të ndahen në 3 mini-grupe me nga 4 skuadra dhe secila prej tyre luan gjysmëfinalen dhe finalen e mundshme me ndeshje teke. Tri skuadrat fituese marrin “biletën” për në Katar.

Gjashtë më të mirat e fazës në grupe të kualifikueseve europiane vendosen në vazon e parë dhe e luajnë gjysmëfinalen në fushën e tyre, 6 të tjerat në vazon e dytë. Për të përcaktuar se cila nga skuadrat fituese në gjysmëfinale do ta luajë finalen në fushën e vet, do të ketë një tjetër short.
Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 24 mars 2022, kurse akti përmbyllës do të zhvillohet më 29 mars. Italia kampione Europe është kokë serie dhe do të ndeshet me një nga skuadrat e vazos së dytë. Ukraina dhe Rusia nuk mund të ndeshen me njëra-tjetrën.
Vazo e parë
Portugalia
Skocia
Italia
Rusia
Suedia
Uellsi
Vazo e dytë
Turqia
Polonia
Maqedonia e Veriut
Ukraina
Austria
Çekia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




