Është vetëm çështje orësh njoftimi zyrtar për rinovimin e kontratës mes Milanit dhe trajnerit Stefano Pioli. Sot ka pasur kontakte të tjera mes palëve dhe kanë mbetur për t’u saktësuar vetëm detajet e fundit në lidhje me kohëzgjatjen dhe shifrat e kontratës së re. Gjithçka duket gati për zgjatjen e saj.
Nuk është se pritej fitorja në Madrid për t’u dhënë një asist pronarëve të Milanit, por edhe ajo ka ndikuar sigurisht. Stefano Pioli është konfirmuar lideri i vërtetë i këtij Milani dhe klubi është gati ta zgjatë “martesën”.

Rinovimi ishte në ajër prej javësh, pas nisjes shumë të mirë të sezonit nga ana e kuqezinjve. Kontrata e Piolit skadon në 2022-shin dhe në fakt drejtuesit e Milanit nuk kishin arsye pse të nxitonin. Për më tepër, Pioli nuk ka asnjë plan të largohet nga Milanelo, por përshpejtimi i procedurave të rinovimit është edhe një lloj vlerësimi logjik nga ana e pronarëve.
Trajneri ka bërë një punë shumë të mirë dhe në këtë sens, edhe koha e rinovimit ka rëndësinë e vet. Nesër pritet të vijë edhe zyrtarizimi nga ana e klubit të Milanit, që do të zbulojë edhe detajet e kontratës së re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




