Drejtësia

Debate dhe tension për çështjen ‘Shullazi’, avokatët dhe të pandehurit braktisin seancën

Ka nisur me debate seanca e gjyqësore e radhës ndaj grupit të Emiljano Shullazit në Gjykatën e Apelit pas 3 vitesh nga dhënia e vendimit të shkallës së parë, ku ata kërkojnë pafajësi.

Trupa gjykuese vendosi në dhomën e këshillimit që të nisë gjykimin pa avokatët mbrojtës për Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin. Por një vendi i tillë, ka shkaktuar debate dhe tension në sallë si dhe braktisje të procesit nga të dënuarit.

Gjykata arsyetoi se të pandehurit kanë mundësi ekonomike për të zgjedhur një mbrojtës, siç janë paraqitur gjatë gjykimit në shkallën e parë.

Duke mos pranuar të marrin një avokat në Apel, gjykata çmoi se kjo është një strategji për të bllokuar procesin në mënyrë të qëllimshme.

Pas marrjes së vendimit, ka pasur debate në seancë dhe të pandehurit dhe vetë avokatët e tjerë janë larguar nga salla.

Në seancën paraardhëse, gjykata i kishte paralajmëruar të pandehurit se gjykimi ndaj tyre do të vazhdonte pa praninë e avokatëve mbrojtës.

Vladimir Meçe, mbrojtësi i Emiljano Shullazit dhe Endrit Qyqes, e cilësoi vendimin e gjykatës si shkelje të rëndë proceduriale.

Trupa gjykuese po ashtu nuk ka pranuar që të shtyjë seancën për mungesën e Blerim Shullazit. Sipas gjykatës, i dyshuari nuk ka sjellë dokumente që të vërtetojë se është i sëmurë.

Vendimi në shkallë të parë për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë, Gilmando Dani, Endrit Qyqa, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi është dhënë më 13 tetor të 2018.

Ata u dënuan në total me 55 vite burg për gjobëvënie dhe grup të struktuarar kriminal.

Emiljano Shullazi është i izoluar në regjimin e posaçëm 41 bis dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat në Apel.

Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë nga Gjykata e Krimeve të Rënda (tani GJKKO) për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt.

Kjo vepër penale, sipas gjykatës, ishte kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Po ashtu, Shullazi akuzohet edhe për gjobëvënie ndaj bizneseve të ndryshme, kërcënime me tritol dhe krime të realizuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë