Të mbrojmë sportin europian nga kërcënimet e kompeticioneve separatiste! Ja ku vjen edhe një zhvillim i rëndësishëm. Parlamenti Europian sot ka kërkuar rregulla të reja kundër Superligës me argumentin se “kompeticioen të tilla minojnë principet dhe vlerat e solidaritetit, besueshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe barazisë në sport”.
Është aprovuar kështu relacioni për vlerat sportive të Bashkimit Europian, me 597 vota pro, 36 kundër dhe 55 abstenim. Janë kërkuar gjithashtu nga eurodeputetët edhe sanksione për vendet, që nuk respektojnë rregullat për mundësitë e organizimit të eventeve të mëdha sportive.
“Sporti është një degë e rëndësishme e ekonomisë dhe ka nevojë për më shumë vizibilitet nga BE-ja”, – ka thënë eurodeputeti polak i Parlamentit Europian, Tomasz Frankovski, relator i tekstit të rezolutës.

UEFA ka reaguar pas vendimit me një komunikatë zyrtare, ku shkruan: “UEFA përshëndet rezolutën si një ahp të rëndësishëm përpara në zhvillimin e modelit europian të sportit, të bazuar te vlerat, solidariteti dhe meritat sportive. “Raporti Frankovski” përfshin rekomandime specifike për çështje kyçe, mes tyre qeverisja e mirë, solidariteti, barazia gjinore, diversiteti dhe të drejta themelore, si integriteti, besueshmëria, shëndeti dhe mirëqenia”.
Aleksander Ceferin, president i UEFA-s, ka shtuar: “Mesazhi i Parlamentit Europian për qytetarët e BE-së është i qartë: Europa dhe europianët janë kundër projekteve separatiste, si Superliga e dështuar, që kërcënon vlerat e sportit europian. Futbolli europian nuk është një treg vetëm për interesat e elitës, është një histori suksesi që i shërben gjithë shoqërisë. Do të vazhdojmë të punojmë me BE-në për të forcuar dhe mbrojtur modelin sportiv europian në botën e futbollit”.

Për çështjen në fjalë ka reaguar edhe FIFA: “FIFA mbështet relacionin mbi politikën sportive të Bashkimit Europian, i përgatitur nga eurodeputeti dhe ish-futbollsti profesionist Tomasz Frankovski, të miratuar sot nga Parlamenti Europian.
Dokumenti përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për politikën sportive gjatë viteve të ardhshme. Në linjë me reformën që po bëhet aktualisht nga FIFA, teksti tregon nevojën e “rregullimit të aktivitetit të agjentëve” dhe njeh rëndësinë e reformave të fundit për limitin e komisioneve të agjentëve të futbollistëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




