Futboll

Video/ Humbja e parë për Napolin e Spaletit, Interi i bën nder vetes dhe Milanit

Pas Milanit të shtunën, edhe Napoli, ekipi tjetër kryesues i Serisë A, ka pësuar humbjen e parë në kampionat. Ia ka shkaktuar Interi në “San Siro” dhe tani, pas 13 javësh, të tria skuadrat kryesuese, Napoli, Milani dhe Interi, kanë nga një humbje, por dy të parët kryesojnë me nga 32 pikë, kurse zikaltrit janë ngjitur në kuotën e 28 pikëve.

Inter fitoi 3-2 me përmbysje, pasi në “San Siro” shënuan të parët miqtë me anë të polakut Zielinski, në minutën e 17-të. Reagimi zikaltër ishte i furishëm. Skuadra e Inzagit barazoi me penalltinë e ekzekutuar saktë nga Çalhanoglu, ndërsa para se të shkonin në dhomat e zhveshjes për pushimin e ndeshjes, vendësit kaluan në avantazh me një gjuajtje të saktë me kokë të Perisiçit.

Pas një ore lojë, Lautaro Martinez trefishoi për Interin, Mertens shkurtoi në 3-2 11 minuta para fundit, kurse në minutën e parë shtesë ishte një mrekulli e portierit Handanoviç ndaj Mario Ruit, që mbajti në fuqi rezultatin.

Inter-Napoli 3-2
Interi (3-5-2): Handanoviç, Shkriniar, Ranokia, Bastoni, Darmian, Barela (Dimarko), Brozoviç, Çalhanoglu (Vidal), Perisiç (Satriano), Lautaro Martinez (Galiardini), Korrea (Xheko). Trajner: Inzagi
Napoli (4-3-3): Ospina, Di Lorenco, Rrahmani, Koulibali, Mario Rui, Anguisa, Fabian Ruiz, Zielinski, Lozano (Elmas), Osimhen (Petanja), Insinje (Mertens). Trajner: Spaleti
Shënues: 17′ Zielinski, 25′ Çalhanoglu (penallti), 44′ Perisiç, 61’ Lautaro Martinez, 79’ Mertens


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë