Në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve, në stolin e Mançester Junajtid nuk do të jetë Ole Gunar Solskjaer. Për trajnerin norvegjez ishte fatale humbja 4-1 me Uatfordin dhe përkohësisht skuadra do të drejtohet nga Darren Fleçer. Pronarët e klubit synojnë të marrin me çdo kusht francezin Zinedin Zidan.
Solskjaer ishte në rrezik dhe pas kësaj humbjeje koha e tij në krye të “Djajve të kuq” ka përfunduar. “Daily Telegraph” bën me dije se pas mesnate u vendos shkarkimi i trajnerit. Mançesteri është në krizë të thellë, me 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit, kështu që ndryshimi ishte i pashmangshëm. Pas ndeshjes Solskjaer shkoi t’u kërkonte ndjesë tiofozëve, të cilët, pasi e kanë mbrojtur më parë, këtë herë thanë “mjaft” dhe e ftuan të largohet.

Pas një diskutimi të gjatë në “conference call” mes ShBA-së dhe Anglisë, familja Glazer, pasi vlerësoi kostot e shkarkimit të Solskjaer, që në korrik rinovoi kontratën deri në 2024-ën, vendosën ta shkarkojnë atë. Skuadra do t’i besohet për momentin Darren Fleçerit, 37-vjeçarit që ka luajtur për Mançesterin. Ai do ta drejtojë skuadrën ndaj Vilarrealit në Ligën e Kampionëve, në pritje të trajnerit të ri.
Familja Glazer, pronarët e Mançester Junajtid që në vitin 2005, po bëjnë gjithçka për të bindur Zinedin Zidan të pranojë për të marrë drejtimin e ekipit. Ish-trajneri i Real Madridit e ka refuzuar ofertën e parë, duke thënë se nuk dëshiron që ta marrë detyrën tashmë që sezoni ka nisur. Por klubi anglez nuk dorëzohet. Pengesa e fundit për Zizunë është bashkëshortja e tij, zonja Veronik, e cila nuk ka dëshirë të transferohet në Mançester.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




