Futboll

Hysaj titullar në humbjen me Juventusin, Strakosha në stol. Festë për Gjimshitin

Elseid Hysaj luajti 90 minuta në humbjen 0-2 që Lacio pësoi në fushën e vet nga Juventusi. Vendosën dy penallti të kthyera në gol nga mbrojtësi Leonardo Bonuçi, i cili i ka dhënë kështu Juventusit një fitore shumë të rëndësishme.

Mbrojtësi kuqezi luajti në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij. Paraqitja e shkodranit në këtë ndeshje është vlerësuar me notën 6 nga specialistët në Itali, ndërkohë që pjesa më e madhe e lojtarëve të Lacios ka marrë notën 5, apo 5.5.

Bonuçi feston nje nga golat ndaj Lacios. Gazeta Si, 20 nentor 2021

Portieri Tomas Strakosha, edhe pse u fol se do të ishte në fushë nga minuta e parë, qëndroi gjithë kohën në stol.

Në fushë për 90 minuta ka qenë edhe mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Berat Gjimshiti. Atalanta e tij mundi thellë, 5-2, Specian e Rei Manajt. Gjimshiti, që mungoi në Kombëtare në dy ndeshjet e fundit, bëri një paraqitje shumë të mirë dhe u vlerësua me notën 6.5. Ai vjen nga dëmtimi në krah dhe po arrin gradualisht formën optimale. Manaj luajti si zëvendësues në pjesën e dytë, por pa mundur të lërë gjurmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë