Mes kroatësh, boshnjakësh, malazezësh, maqedonasish apo kosovarësh, ai që “ndez” Vllazninë me golat e tij është një vlonjat. Ardit Hoxhaj, goleadori i kësaj skuadre sezonin e kaluar, kur Vllaznia doli nënkampione, ishte protagonist kryesor në fitoren 3-1 ndaj Kastriotit, që vjen pas tri ndeshjesh zhgënjyese të shkodranëve.
Trajneri Tomas Bërdariç vendosi që për herë të parë në këtë kampionat t’i besonte nga minuta e parë Hoxhajt dhe ai ia shpërbleu me një dygolësh. Duket si një rikthim në kohët e bukura të sezonit të vjetshëm për vlonjatin, që realizonte gola vendimtarë dhe i jepte pikë të çmuara Vllaznisë.
Këtë sezon kjo skuadër e ka rritur shumë potencialin e saj në sulm, ku ka afruar kroatin Aralica, kosovarin Latifi, boshnjakun Mustedanagiç dhe maqedonasin Gjurgjeviç, por sërish Ardit Hoxhaj ka treguar vlerat e tij, duke bindur që në provën e parë, kështu që trajneri Bërdariç tani duhet të mendohet mirë. Efikasiteti i vlonjatit nuk është aspak për t’u nënvlerësuar, përkundrazi, duhet shfrytëzuar në maksimum.
Golin tjetër për Vllazninë e realizoi Aralica, kurse për Kastriotin shënoi golin e nderit Ajazi, një gol që u konfirmua pas 5 minutash konsultim me VAR-in. Vllaznia, me këtë fitore, ngjitet në kuotën e 13 pikëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




