Futboll

Rifillon kampionati, Partizani dhe Vllaznia ngrenë siparin e javës së 9-të

Rikthehet sot kampionati pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe Kupës së Shqipërisë në mesjavë. Abissnet Superiore luan javën e nëntë, që fillon sot me dy sfidat Vllaznia-Kastrioti dhe Partizani-Laçi.

Shkodranët vijnë në këtë ndeshje të lehtë në letër pas tri zhgënjimesh radhazi. Ata nuk kanë fituar asnjë nga tri ndeshjet e fundit, ku kanë marrë vetëm 1 pikë ndaj Egnatias dhe janë mundur nga Kukësi dhe Tirana. Një goditje e rëndë kjo për një skuadër me pretendime për titullin, siç është Vllaznia, ndaj dhe fitorja ndaj Kastriotit është domosdoshmëri.

Vllaznia para ndeshjes se Kupes me Pogradecin. Gazeta Si, 20 nentor 2021

Partizani gjeti fitoren e parë në këtë kampionat në javën e tetë, edhe sot duhet të ecë me të njëjtin hap, sepse në të kundërt do ta ketë të pamundur të rikuperojë pikët e lëna deri tani. Me vetëm 8 pikë, të kuqtë qëndrojnë ende në katet e poshtme të tabelës së klasifikimit, kështu që nuk u falet as barazimi.

Trajneri Ilir Daja një ditë më parë ka akuzuar për padrejtësi në garë, sepse rivalëve të Partizanit u është lënë më shumë kohë për ndeshjet e kësaj jave. Ai ka sot një skuadër më të plotë, ku është rikuperuar Ergys Kaçe, ndërsa kapiteni Alban Hoxha mbetet në dyshim për shkak dëmtimi.

Kampionatin e kryeson Tirana me 20 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 14 pikë dhe Teuta me 12 pikë.

Abissnet Superiore, java e 9-të
Sot
Vllaznia-Kastrioti (16:45)
Partizani-Laçi (19:45)
Të dielën
Teuta-Skënderbeu
Të hënën
Dinamo-Egnatia
Kukësi-Tirana


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë