Arsim

Rama prezanton buxhetin 2022 për rininë: ‘Do të kemi qendra teknologjike në çdo bashki’

Kryeministri Edi Rama duke prezantuar buxhetin për rininë ka thënë se plani i qeverisë është që të hapen qendra teknologjike ku të rinjtë të mësojnë njohuri bazë, e që i jep mundësi të zgjerohen në tregun global. Kryeministri shtoi  se bibliotekat shkollore do të pasurohen dhe laboratorët do vendosen në shkolla.

“Laboratorët që ne kemi në inventarët e ndërtesave nuk arrijnë dot të plotësojnë nevojën e tyre për të ofruar mjete dhe instrumente cilësore në mënyrë që mësimi i teorisë mund të kalojë në praktikë duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e nevojshme. Laboratorët janë të varfër, puna në to bëhet me fjalë dhe jo me instrumente në dispozicion dhe instrumente në potencialin e mundshëm të tyre. Ashtu sikundër për laboratorët e informatikës janë larg së qeni të plotësojnë nevojën e domosdoshme të mësimit të informatikës me qenë një mësim aktiv dhe gjithëpërfshirës. Kështu që ne do të bëjmë një ndryshim rrënjësor të laboratorëve, do të fillojmë që në fillim të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër për ne është e qartë që nëse duam të kemi në Shqipëri një treg që duam të ofrojë punë shumë mirë paguar për më të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të zhvillimit ekonomik, duhet të investojmë në njohuritë kompjuterike më të rinjve. Është fjala për një gjuhë të re që nuk është anglisht, frëngjisht, por është një gjuhë që do të bashkojë nesër gjithë botën ndërsa sot bashkon një numër të konsiderueshëm njerëzish që punojnë në një treg që s’ka kufij,”tha Rama

Rama shtoi se prioritetet e këtij mandate do të jetë që të ketë në çdo bashki qendra teknologjike.

“Ju e dini që kur ne e filluam punën kishin hequr fare fizkulturën. Tani ka ardhur koha ta çojmë në nivel tjetër shkollën dhe sportin, duke i dhënë mundësi atyre që të kenë mundësi të bëjnë sport më shumë. Këtu ka shumë prindër, që paguajnë shumë, janë me dhjetëra mijëra për të çuar fëmijët e tyre në klube sportive të shumëllojshme. Është e domosdoshme ti japim mundësi shkollave të kenë skuadrat e tyre. Ti japim nxënësve që merren me sport, edhe pikë siç janë në vendet e tjera në funksion të ecurisë së tyre të mëtejshme. Sot kemi mundësi ta bëjmë këtë sepse kemi shumë palestra”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë