Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka shpjeguar arsyet pse iu shmang një përgjigjeje mbi krimin makabër në Grecalli të Fierit, ku Klodian Çalamani, rrëmbeu, vrau dhe groposi, 8-vjeçarin Mateo Vasiu.
Në një postim në rrjetet sociale, Muzhaqi është shprehur se deklarata e saj është keqkuptuar, ndërsa shton se detyra e saj funksionale është të merret me programet jashtëshkollore dhe se për ngjarjen nuk iu duk e udhës të jepte një opinion personal.
“Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune, - shkruan Muzhaqi. - Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet”.
Ajo thotë se detyra se saj funksionale, “është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja”.
Ministrja thekson se nuk ka asnjë koment për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, por shton: “E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time”,- tha Muzhaqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.