Media Galeri

Del në ankand vila me muralen e vetme në botë të piktorit Caravaggio

Vila Aurora, një pasuri e paluajtshme dhe perlë arti në kryeqytetin italian, ka dalë në shitje.

Prona, e cila shtrihet mbi 2800 metra katrorë është shtëpia e të vetmes murale nga artisti barok italian Michelangelo Merisi, i njohur si Caravaggio.

Vila është ajo që ka mbetur nga një vendstrehim i krijuar në shekullin e 16-të nga kardinali Francesco Maria Del Monte dhe më vonë shitur pronarëve të saj aktualë, familjes Ludovisi.

Ajo do të dalë në ankand më 18 janar me një ofertë hapëse prej 471 milionë euro.

Shitja është rezultat i një mosmarrëveshjeje të zgjatur mbi trashëgiminë pas vdekjes së ish-pronarit të saj Princit Nicolo Boncompagni Ludovisi në vitin 2018, dhe që përfshin gruan e tij të tretë.

Princesha Rita Boncompagni Ludovisi, e cila ka jetuar në vilë për 18 vjet, i tha Reuters se bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates dikur kishte qenë i interesuar për të blerë pronën, si dhe një emir i Katarit.

“Thjesht lutem dhe shpresoj që kushdo që e blen ta pëlqejë aq sa ne”, tha ajo.

Në vitin 1597, kardinali Del Monte, një diplomat porositi Caravaggio-n, atëherë në fillim të të njëzetave, të pikturonte tavanin e një dhome të vogël në katin e parë, të cilën ai e përdori si laboratorin e tij të alkimisë.

Muralja 2,75 metra e gjerë u pikturua me vaj direkt në suva dhe përshkruan një skenë me Jupiterin, Neptunin dhe Plutonin që përfaqësojnë transformimin e plumbit në ar.

Caravaggio pikturoi fytyrën dhe trupin e tij në secilën prej tre figurinave. Vetëm muralja vlerësohet me 310 milionë euro.

E mbrojtur nga mure të larta, vila ndodhet pranë rrugës së famshme Via Veneto, ku u filmua “La Dolce Vita” e Federico Fellini-t në vitin 1960.

Vila Aurora është gjithashtu e mbushur me skulptura antike dhe statuja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë