Është nënshkruar marrëveshja e parë midis Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për projektin “Shkollat për Shëndetin”.
Ky projekt ka të bëjë me promovimin e sjelljeve të shëndetshme dhe ruajtjen e fëmijëve nga sëmundjet e transferueshme. Projekti ka një Komitet Drejtues që përbëhet nga përfaqësues të MSHMS, MASR me të drejtë vote.
Synimi i projektit është të promovojë sjellje pozitive që lidhen me shëndetin tek fëmijët në moshë 6-16 vjeç, te familjet e tyre dhe komuniteti. Sipas këtij projekti përfitues janë nxënësit në të gjitha shkollat 9-vjeçare në Shqipëri.
Gjatë një konference të përbashkët mes Ministrive dhe grupeve të interesit u cilësua se faza përgatitore e projektit u realizua në periudhën mars 2020 – shkurt 2021, ku u prezantuan edhe përvojat e vendeve të tjera që e kishin implementuar më herët projektin, si dhe u zhvilluan disa seanca trajnimi online me ekspertë të huaj për mënyrën e zbatimit të projektit.
Në konferencë u raportua se është bërë vlerësimi i detajuar i shkollave 9-vjeçare në Shqipëri në lidhje me infrastrukturën, pajisjet, stafin, kurrikulat dhe elemente të tjerë duke përfshirë edhe vlerësimin e nevojave dhe të situatës aktuale dhe në mars të këtij viti ka filluar realizimi i veprimtarive konkrete.
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi ka shpjeguar se fillimisht projekti do të jetë tek 30 shkolla duke u aplikuar më pas gradualisht tek shkollat e tjera që arrijnë në 120 në total. Kushi shtoi se janë 8 shkolla në Kukës, 10 në Korçë dhe 12 në Elbasan. Tek këto shkolla janë zhvilluar aktivitetet ndërgjegjësuese dhe sportive me nxënës, mësues dhe prindër.
Projekti ‘Shkollat për Shëndetin” financohet nga Qeveria zvicerane dhe menaxhohet nga Agjencia Për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Zvicrës në Tiranë, nëpërmjet shoqatave ‘Save the Children’ në Zvicër dhe nga ‘Save the Children’ në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



