Italia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në Belfast ndaj Irlandës së Veriut dhe pas fitores 4-0 të Zvicrës ndaj Bullgarisë, duhet të kalojë “Play-off”-in për të shkuar në Botërorin e Katarit 2022. “Axurrët” nuk kanë qenë aspak brilantë në këtë ndeshje, ku portieri Peacock-Farrell nuk u impenjua dhe aq shumë për të pritur goditjet e kundërshtarit.
Në fund Italinë e shpëtoi Bonuçi, duke larguar topin në vijën fatale dhe duke shmangur një gol të sigurt. Rastin më të mirë në këtë ndeshje për Italinë e pati Kieza, gjuajtja e të cilit kaloi pranë shtyllës. Kampionët e Europës tani duhet të mendojnë për “Play-off”-in për të siguruar një biletë për në Botëror, ku nuk u falet të mungojnë.
Zvicra është kualifikuar direkt për në Katar, duke e shtyrë Italinë në “Purgator”. Shaqiri me shokë fituan 4-0 kundër Bullgarisë dhe u ngjitën në kuotën e 18 pikëve, duke zënë vendin e parë. Okafor, Varfas, Iten dhe Freuler realizuan golat e fitores për Zvicrën.
Kualifikimin për në Katar e ka arritur zyrtarisht edhe Anglia, që ka mundur 10-0 San Marinon, ku veçohen 4 gola të kapitenit Herri Kejn. Anglia e ka mbyllur kështu në vend të parë në Grupin tonë, duke detyruar Poloninë e Levandovskit për të luajtur ndeshje shtesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




