Është vërtet një moment “jo” për Kristiano Ronaldon. Portugalia e tij është e detyruar të luajë në “Play-off” për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e Katarit, pas humbjes fatale në shtëpi me Serbinë.
Ishte një “harakiri” për portugezët, të cilët kaluan të parët në avantazh, por më pas u barazuan dhe në minutën e fundit morën goditjen e fortë nga Mitroviç. Në Katar shkon direkt Serbia, ndërsa Ronaldo nuk dorëzohet dhe karikon shokët, duke u shprehur i bindur se edhe Portugalia do të jetë në Botëror.

“Futbolli na ka treguar shumë herë se ndonjëherë rrugëtimet më të lodhshme të çojnë te rezultatet më të dëshiruara, – shkruan Ronaldo në Instagram. – Humbja ishte e rëndë, por jo e mjaftueshme për të na mposhtur. Objektivi për të qenë në Botëror është ende i arritshëm dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të shkuar aty. Nuk ka justifikime. Portugalia do të shkojë në Katar”.
Sikur të mos mjaftonte kriza te Mançester Junajtid, tani CR7 nuk gjen qetësi as me kombëtaren e tij. Pas përfundimit të ndeshjes me Serbinë, ai nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij ndaj trajnerit Fernando Santos. Një ditë më pas është treguar më gjakftohtë dhe është munduar të karikojë shokët e skuadrës dhe të paralajmërojë rivalët. Në Katar fenomeni portugez nuk dëshiron të mungojë kurrsesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




