Futboll

Ndeshja e pambarimtë, tri ndërprerje për një selfie me Mohamed Salah

Një ndeshje e pazakontë në Angola. Sfida mes Egjiptit dhe të zotëve të shtëpisë ka dhuruar emocione të mëdha në fushë, por ajo është ndërprerë tri herë. Kaq herë tentuan tifozët të hynin në fushë për një selfie me Mohamed Salah. Sipas “Sun”, prania në fushë e yllit të Liverpulit e ka komplikuar shumë përfundimin e ndeshjes kualifikuese.

Salah është universalisht i njohur si një nga lojtarët më të mirë në botë, por në Afrikë ai është një yll absolut. Dhe kaq mjafton për ta komplikuar zhvillimin e një ndeshjeje. Edhe pse Egjipti po mundej 2-0, publiku ishte më shumë i interesuar për Salah se për ndeshjen. U desh tri herë ndërhyrja e forcave të sigurisë për të ndaluar tifozët që bënin gjithçka për një foto me sulmuesin egjiptian.

Momentet kur tifozet hynin ne fushe per te takuar Salah. Gazeta Si, 14 nentor 2021

Në një ndeshje mjaft delikate, Egjipti ia doli gjithsesi të merrte një pikë vendimtare për kreun e Grupit F dhe për të siguruar kalimin e turit 90 minuta para kohe. Egjiptianëve u duhej 1 pikë për kalimin në fazën finale të kualifikueseve për Botërorin e Katarit. Egjipti u gjend në disavantazhin e 2 gola, por çerk ore para fundit arriti të barazonte.

Me këtë barazim 2-2, Egjipti bashkohet me Marokun, Senegalin dhe Malin, që ishin kualifikuar për në fazën e fundit. Duhen tashmë edhe 6 skuadra për të kompletuar 10-shen e atyre që do të ndeshen mes tyre me sistemin vajtje-ardhje për 5 vendet që Afrika ka në Botërorin e Katarit. Pesë çiftet do të përcaktohen nga shorti që do të hidhet në Kajro dhe ndeshjet do luhen në mars të 2022-shit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë