Barazimi 1-1 ndaj Zvicrës në “Olimpico” e ka komplikuar jo pak rrugën e Italisë drejt Botërorit të Katarit. Kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga kualifikueset, Italia dhe Zvicra kanë nga 15 pikë, por skuadra e Mançinit ka një golaverazh më të mirë (13-2 ndaj 11-2 të Shaqirit me shokë).
Në këtë situatë, gjithçka për kreun vendoset në ndeshjet e fundit në grup. Të hënën Italia luan në Belfast kundër Irlandës së Veriut. Mund të ruajë vendin e parë, që vlen për kalimin direkt në fazën finale të Botërorit, nëse fiton thellë në këtë transfertë dhe ruan diferencën më të mirë të golave në raport me Zvicrën, që pret Bullgarinë në ndeshjen e fundit.

Italia kualifikohet edhe në rast barazimi në Irlandë, por në këtë rast edhe Zvicra duhet të barazojë, sepse kështu kristalizohet renditja aktuale. Nëse Italia humb, për të shmangur ndeshjet shtesë duhet të shpresojë në një humbje të Zvicrës me të njëjtën diferencë golash, ose maksimumi një më pak.
Ka edhe një mundësi për një barazi absolute, nëse Italia fiton 1-0 dhe Zvicra 3-0. Në këtë rast do të ketë një ekuilibër perfekt edhe në diferencën e golave (14-2). Kriteri i parë i vlefshëm në këtë rast është goli në transfertë në takimet direkte, që favorizon Zvicrën. Nëse Italia fiton 2-1 dhe Zvicra 3-0, kualifikohen “axurrët” për numrin më të madh të golave të shënuar, edhe pse ka barazi në golaverazh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




