Kombëtarja gjermane është futur në karantinë, pas një rasti Covid-i. Me një komunikatë zyrtare, Federata Gjermane e Futbollit ka bërë me dije se në grumbullimin ku skuadra po përgatit ndeshjet kualifikuese me Lihtejnshteinin dhe Armeninë, testet për lojtarët dhe stafin kanë zbuluar një rast pozitiv.
Bëhet fjalë për Niklas Sule, i cili është i vaksinuar dhe është asimptomatik. Mbrojtësi i Bajernit është izoluar, ashtu sikurse Xhoshua Kimish, Serzh Gnabri, Jamal Musiala dhe Karim Adejemi.

Automatikisht autoritetet shëndetësore lokale kanë kërkuar futjen e skuadrës në karantinë dhe veçanërisht të katër shokëve që kanë pasur kontakte me lojtarin që rezultoi pozitiv. Është një sinjal alarmi, që rikthyer vëmendjen te problemi i infektimeve dhe jo vetëm në sport.
“Numri i të infektuarve nga Coronavirusi është në rritje në nivel kombëtar dhe edhe pse ky rast është i hidhur në prag të dy ndeshjeve kualifikuese të Botërorit, shëndeti vjen para të gjithave. Për këtë kemi marrë masat anti-Covid”, – ka thënë Oliver Bierhof, drejtor i skuadrave kombëtare të Gjermanisë.
Në vend të 5 lojtarëve të izoluar, trajneri Flik ka thirrur Ridle Baku dhe Maksimilian Arnold nga Volfsburgu dhe sulmuesin Kevin Voland të Monakosë. Edhe Florian Virtz dhe Niko Shloterbek e kanë braktisur grumbullimin, por për shkaqe dëmtimi. Të hënën Flik grumbulloi mbrojtësin e Bajer Leverkusenit, Xhonatan Tah. Gjermanët gjithsesi janë kualifikuar për në Botërorin e Katarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




