Me 1 pikë në 3 ndeshjet e fundit kuptohet qartë se te Vllaznia ka diçka që nuk shkon, të paktën për momentin. E cilësuar si një nga skuadrat me organikën më të mirë të kampionatit, sidomos në sulm, kjo skuadër ka rrëshkitur në renditje dhe duket se më shumë se në fushë, ka një krizë në dhomat e zhveshjes. Shumë njerëz të futbollit flasin për një problem të brendshëm.
Pyetja që lind natyrshëm në këtë moment është: a e përballon dot kjo Vllazni presionin e të qenit pretendente kryesore për titull? Duket qartë që e ka shumë të vështirë, ndërsa koha do të tregojë, nëse është një problem kalimtar, që mund t’i ndodhë çdo skuadre, apo është një krizë e thellë që mund të lërë pasoja.

Ndeshjet e fundit kanë treguar se situata nuk është më si më parë. Edhe pse me më shumë lojtarë cilësorë se sezonin e fundit, Vllaznia nuk po dhuron të njëjtat emocione. Skuadra është nervoze dhe po ashtu edhe trajneri i saj, Tomas Bërdariç. U pa qartë në Rrogozhinë me atë veprim të shëmtuar të Liridon Latifit në momentin e zëvendësimit, kur ai gjuajti me shkelm shishen e ujit dhe u rrëzua, duke rrezikuar edhe një dëmtim.
Nerva loje, por jo deri në këtë pikë dhe aq më tepër për një lojtar që ka veshur edhe fanellën e Kombëtares. Si për të vërtetuar tensionin e madh që ka pushtuar Vllazninë, edhe trajneri Bërdariç nuk u mundua aspak të “mbulonte” lojtarin e tij, apo ta këshillonte me stil, përkundrazi, e sulmoi atë, duke thënë se “bota nuk rrotullohet rreth Latifit”. Ndoshta gjermanit i ka dalë situata nga kontrolli.
Në krahasim me sezonin e kaluar, kur Vllaznia ishte më e lirshme dhe më zbavitëse në fushë, këtë sezon jo vetëm nuk po arrin të shfrytëzojë potencialin që ka, por po krijon situata të pakëndshme, që e trazojnë shumë ambientin e brendshëm dhe gjithçka më pas reflektohet në fushë. Fakti i të qenit pretendente kryesore e ka rritur shumë presionin në Shkodër, më mirë ishte vjet, si “outsider”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




