Teksa Julian Nagelsman e ka kaluar koronavirusin dhe Robert Levandovski shpreson ende te fitimi i “Topit të Artë”, një imazh ndryshe është shfaqur të shtunën në “Allianz Arena”, gjatë ndeshjes së Bajernit në Bundesligë. Tifozët kanë shpalosur një baderolë kundër Oliver Kahn dhe drejtuesve të klubit për një motiv kontrovers.
Nojer me shokë fituan 2-1 ndaj Frajburgut, me gola të Goretzkës dhe Levandovskit, duke e mbajtur Bajernin në krye, por sigurisht imazhi i ditës ishte ai që erdhi nga shkallët e stadiumit. Po, sepse vera ka sjellë ide të reja dhe revolucionare për të ardhmen e skuadrës, ku Oliver Kahn u bë administrator i deleguar me objektivin për të ndryshuar fytyrën e Bajernit në sytë e botës.

Fillimisht, ish-portieri pati probleme me dhomat e zhveshjes pas lamtumirës së Hans Flik, ndërsa ajo që ndodhi të shtunën në Mynih të bën të mendohesh.
“Për para bëjmë lavatriçen e çdo gjëje”, – ishte sllogani i përdorur nga tifozët bavarezë për të protestuar ndaj Kahn dhe presidentit Herbert Hainer. Arsyet e përplasjes me bordin drejtues kanë të bëjnë me akordet që këshilli i ri administrativ ka firmosur me kompani të ndryshme nga Katari, që lidhen me shkeljen e të drejtave të njeriut. Në Gjermani bëjnë me dije ndërkohë se më 25 nëntor këto marrëveshje mund të anulohen, nëse tifozët vazhdojnë të protestojnë.
Tifozët në “Allianz Arena” e kanë drejtuar gishtin kundër Oliver Kahn, i cilësuar si promotori kryesor i akordeve që stonojnë me ideologjinë dhe vlerat e futbollit gjerman. Pasi ishte mjaft kritike ndaj Super Ligës, linja e drejtuesve bavarezë duket se ka ndryshuar në lidhje me paratë dhe mbështetesit “Die Roten” e kanë zgjedhur tashmë edhe “kokën e turkut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




