Gjykata e Lartë ka publikuar vendimin e arsyetuar me anë të të cilit ktheu për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit të dosjes ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas vendimi, Gjykata e Posaçme e Apelit ka kryer shkelje të rënda proceduriale gjatë vendimit të dhënë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, që u dënua në fund të procesit me 3 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjykata e Lartë ka pranuar pjesërisht rekursin e Saimir Tahirit. Trupa rrëzoi kërkesën e ish-ministrit që të ishte pikërisht Gjykata e Larta që ta gjykojë në themel të këtë çështje dhe në vend të kësaj riktheu në Apelin e Posaçëm dosjen me detyrimin që çështja të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjykuese.
Vetë Saimir Tahiri, në vendimin e marrë më 28 shtator foli shkurt para mediave dhe u largua menjëherë, duke lënë avokatin e tij, Maks Haxhia që të deklarohet për vendimin e dhënë.
“Ne kërkuam që çështja të zgjidhej në themel nga Gjykata e Lartë. Ajo e rrëzoi këtë kërkesë dhe u bazua vetëm në shkeljet procedurale. Gjykata vendosi prishjen e vendimit për shkak të shkeljeve të rënda procedurale, që e cenonin vendimin”, tha avokati Haxhia.
Pala mbrojtëse u shpreh se edhe në rigjykim do të këmbëngulet te pafajësia e Saimir Tahirit.
Dosja “Tahiri” ka bërë disa herë ping-pong nëpër gjykatat e vendit. Hetimet e nisura nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda kaluan më pas te SPAK. Në përfundim të procesit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e shpalli fajtor vetëm për shpërdorim detyre, duke rrëzuar akuzën e trafikut të narkotikëve në formën e grupit kriminal.
Tahiri u dënua me 3.5 vite burg, të konvertuar në 3 vite shërbim prove, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u dënua me 5 vite burg.
SPAK, që kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin e Apeloi vendimin. Gjykata e Posaçme e Apelit e ktheu sërish çështjen për rigjykim në shkallën e parë me argumentin se kjo gjykatë kishte gabuar në rikualifikimin e akuzës nga “trafik i narkotikëve” në “shpërdorim detyre”.
Pasi Shkalla e Parë “korrigjoi” vërejtjen e Apelit të Gjykatës së Posaçme dha vendimin për dënimin e tij me 3 vite burg të konvertuar në tre vite shërbim prove. Vendimi u apelua si nga Prokuroria e Posaçme, që kërkoi një dënim më të ashpër, ashtu edhe nga vetë Tahiri, që pretendoi pafajësinë.
Këtë herë, Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke bërë që si SPAK, ashtu edhe Tahiri t’i drejtohen Gjykatës së Lartë. SPAK kërkoi rikthim të çështjes për gjykim në shkallën e parë dhe rishqyrtimin e provave, ndërsa avokatët e Saimir Tahirit kërkuan që të mos kishte më rishqyrtim provash, por çështja të gjykohej në themel me provat ekzistuese, ose nga vetë Gjykata e Lartë, ose nga Apeli i Posaçëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.