Futboll

Mësime nga profesor Gashi, si ta luajmë futbollin bukur dhe thjeshtë!

Sapo ka përfunduar ndeshja e fundit e javës së 8-të të Abissnet Superiores, Egnatia-Vllaznia, 1-1. Ekipi rrogozhinas ka marrë një pikë të merituar, siç ka bërë ndaj Tiranës kryesuese dhe Partizanit “bombastik”, apo edhe ndaj Laçit “të egër”, duke e mundur në shtëpinë e tij.

Egnatia vjen nga Kategoria e Parë në elitë, ka 10 pikë dhe ndoshta ka merituar diçka më shumë. Edhe sot ndoshta VAR-i e ka dëmtuar pak, duke i dhënë një penallti shumë të diskutueshme Vllaznisë, ndërkohë që rrogozhinasit realizuan një gol spektakolar me Isenin. Ata luajnë një futboll të bukur dhe të thjeshtë, siç ua kërkon profesor Gugash Magani, apo “Gashi”, siç e njohin të gjithë trajnerin peqinas.

Egnatia para ndeshjes me Partizanin ne kryeqytet. Gazeta Si, 8 nentor 2021

Egnatia aktuale është si një fëmijë i rritur nga vetë Magani, që e ngjiti fillimisht në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar dhe pa blerje të mëdha e ka shndëruar në faktor të Superiores. Ka po aq pikë sa Vllaznia e drejtuar nga gjermani Tomas Bërdariç dhe e afrimeve të mëdha si Latifi, Aralica e të tjerë. Ka më shumë pikë se Partizani dhe Dinamo.

Egnatia aktuale ka plotësisht fytyrën e profesor Gashit, manifeston futbollin e thjeshtë dhe rezultativ, pa zhurmë mediatike. Në fund të fundit, kjo është zotësia më e madhe, të bësh futboll të mirë me pak zhpenzime. Me blerje pa fund, çdokush e ka më të thjeshtë. Në futbollin tonë të brishtë ky është pa dyshim një model për t’u ndjekur.

Nga nje ndeshje ne “Egnatia Arena” ndaj Teutes. Gazeta Si, 8 nentor 2021

Profesor Gashi e ka bërë këtë gjë që në fillim të karrierës si trajner, kur me Flamurtarin e nisi pa zhurmë dhe në fund humbi një titull kampion shumë të diskutuar para disa vitesh. Tani po bën shumë mirë me Egnatian. Sot radhën për të mësuar se si luhet futbolli i bukur dhe i thjeshtë, e kishte Vllaznia…

Tani me siguri të gjithë do të merren me faktin pse nuk fitoi Vllaznia dhe jo me futbollin që luan Egnatia dhe profesor Gashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë