Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri paguajnë edhe për mirëmbajten e bankës gjenetike të specieve, megjithëse ky institucion është në varësi të Qeverisë.
“Jemi i vetmi universitet në Shqipëri që kemi studentë, por kemi edhe tre institucione që janë të Qeverisë shqiptare. Kemi bankën gjenetike, që merr financime nga të ardhurat e studentëve. është e vetmja me rëndësi kombëtare që ruan të gjitha aksesionet, linjat dhe kultivarët. E vetmja në Shqipëri, por që nuk mund të mirëmbahet me të ardhurat e studentëve. Fatmirësisht studentët nuk e dinë këtë, sepse do të thonin se ç’punë kanë ata që të mirëmbajnë një bankë që është në dispozicion dhe jep kontribut për të gjithë ekonominë shqiptare”, deklaroi para Komisionit të Arsimit, Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku.
Ai foli gjatë dëgjesës së organizuar nga Komisioni i Arsimit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Problematikat financiare që ngritën rektorët ishin të shumta dhe lidheshin edhe me pagat. Në rastin e UBT-së, Rektori Sallaku tha se granti i pamjaftueshëm i qeverisë, që mbulon vetëm 65 për qind të shpenzimeve për paga dhe pagesën e sigurimeve të punonjësve është problematika më e vogël e këtij institucioni.
Ai kërkoi që qeveria të ndajë për UBT fondet e nevojshme për mbajtjen e infrastrukturës dhe institucioneve të tjera, që aktualisht mirëmbahen nga ky universitet, por që nuk janë në varësi të drejtpërdrejtë të këtij universitetit.
“Ne kontribuojmë me 20 për qind të GDP-së. Ne nga buxheti granti na mbulon vetëm 65 për qind të shpenzimeve për pagat. 35 për qind mbulohen nga të ardhura nga tarifat e studentëve dhe nga shërbimet ndaj të tretëve”, u shpreh ai.
Rektori Sallaku tha se një tjetër institucion që mirëmban UBT është Instituti i Peshkimit. Për mirëmbajtjen e tij, rektori kërkoi 500 mln lek. Mirëmbajtje, tha ai, kërkohet edhe për kampusin 24 hektarësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



