Kori i qytetit të Pejës ka zënë vendin e parë në Olimpiadën e koreve botërore, “WORLD CHOIR GAMES 2021 në mesin e shumë konkurrentëve me traditë në muzikën korale. Kori kosovar u vlerësua me pikët maksimale në festival, 22.33 pikë.
“Sonte jemi të lumtur si kurrë më parë. Kori Siparantum është shpallur fitues në kategorinë, The Open Competition – Musica Contemporanea. Kështu kori Siparantum sonte bëri histori për shtetin tonë, në Olimpiadën e koreve botërore, World Choir Games 2021. Çfarë emocione, puna u shpërblye. Urime Kosova”, njofton faqja zyrtare e “Korit Siparantum” të qytetit të Pejës.
“Puna u shpërblye! I përulem secilit anëtar të korit Siparantum, për mundin, sakrificën dhe punën fantastike për të ardhur deri këtu. Sonte përfaqësuam kulturën, muzikën dhe shtetin tonë, Kosovën”, është shprehur dirigjenti i korit, Memli Kelmendi.
Kori Siparantum me vepra të kompozitorëve shqiptarë për të herë të parë në historinë e muzikës korale, përfaqësoi Kosovën në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, “WORLD CHOIR GAMES 2021”.
Në këtë kompeticion, këtë vit ishin mbi 300 kore nga e gjithë bota dhe kori i Kosovs arriti të triumfojë.
Kori garoi në Open Competition, në kategorinë “Contemporary Music” e cila u mbajt në sallën e njohur koncertale, Queen Elizabeth Hall, Antwerp (Home of Royal Flemish Philharmonic) në Belgjikë.
Kori po ashtu ishte pjesë e dy koncerteve të tjera, Friendship Concerts që u mbajtën në vendet më të njohura si; Handelsbeurs, Antwerpen dhe Cathedral of Our Lady, Antwerp.
Ndërkohë, më 3 nëntor, dirigjenti i korit Memli Kelmendi ishte i pranishëm në takimin gjeneral të këshillit botëror të koreve, World Choir Council, ku njëherazi ka përfaqësuar Kosovën brenda rrjetit më të madh të muzikës korale në botë.
Ndërkohë vetëm pak kohë më parë, kori Siparantum fitoi çmimin, “Pllakën e Artë” në festivalin internacional të koreve “The Golden Lime of Tuhelj” – Kroaci. Kori u vlerësua me pikët maksimale në festival, 98.33 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.