As Reali dhe as Atletiko, Barcelona jo e jo. Kreun e La Ligës në Spanjë e kryeson Real Sociedad, me 28 pikë. Skuadra baske ka fituar këtë fundjavë në fushën e Osasunës, me rezultatin 0-2, duke treguar se është një kandidate potenciale për titullin kampion.
Merino dhe Januzaj realizuan 2 golat e fitores në pjesën e dytë. Real Sociedad arriti të zhbllokonte rezultatin e një ndeshjeje shumë të mbyllur dhe jo pak të komplikuar. Një sukses i merituar për një skuadër shumë solide, që këtë sezon po thyen të gjitha parashikimet me paraqitjen në fushë dhe mbi të gjitha me rezultatet.

Real Sociedad nuk ka në skuadër yje, si Reali, Atletiko Madrid, Barcelona e Sevilja, por ka një grup shumë kompakt. Nëse duhet përmendur ndonjë emër, ai është sulmuesi Ojarzabal, të cilin e grumbullon me kombëtaren spanjolle trajneri Luis Enrike. Gjithashtu, me Sociedadin aktivizohet edhe sulmuesi me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, më parë pjesë e Mançester Junajtid.
Meritë të padiskutueshme ka pa dyshim trajneri Imanol Aluacil, i cili ka ndërtuar një skuadër kompetitive, që mund të sfidojë pa frikë edhe më të mëdhenjtë e futbollit spanjoll. Në 13 ndeshje, Real Sociedad ka 8 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




