Të premten u mbyllën dy klasa të tjera në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë për shkak të infektimeve të nxënësve të vitit të dymbëdhjetë. Fillimisht burime bënë me dije se ishin infektuar dy nxënës nga të dyja klasat dhe nën dyshime ishte edhe një sanitare. Gazetasi.al kërkoi informacion nga drejtoria e shkollës dhe nga IShP, por nuk mori asnjë përgjigje.

Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit përcaktohet se nëse një nxënës ose mësues del i infektuar klasa mbyllet dhe mësimi vijon online, ndërkaq ka edhe mësues e nxënës në shkolla të tjera të infektuara vetëm dy muaj pas fillimit të mësimit.
Zëvëndëskryetari i sindikatës së mësuesve, Isa Halilaj i tha Gazetasi.al se në bazë të informacioneve të tyre 80%e mësuesve janë të vaksinuar, ndërsa pjesa e mbetur ose e kanë kaluar kohët e fundit ose kanë semundje kronike dhe e kanë të pamundur vaksinimin.
“Momentalisht ka mësus me Covid-19 në Himarë (Borsh), Përmet (Klycyrë), Tiranë, Durrës, Kamëz etj, por sipas informacioneve tona nuk është numër i lartë dhe disa prej tyre janë të vaksinuar,” shpjegon Halilaj.

Sipas tij ndryshe nga viti i kaluar ka një numër më të lartë të infektuarish tek nxënësit. Halilaj thotë se vërehen mungesa të shumta të nxënësve nëpër shkolla, gjë që nuk dihet me saktësi numri i të infektuarve me Covid-19 për shkak të virozave të stinës.
“Shoqeria sikur u mësua me praninë e Covid-19, kështu që edhe në shkolla kemi rënie të vigjilencës të zbatimit të protokolleve strikte të Covid-19 (maskat, distancim, dizifektant etj). Sipas informacioneve tona nuk kemi fatalitete mësuesish e nxënësish. Kjo kategori duhet të mbeshtetet nga qeveria financiarisht sepse që nga Janari 2021, raportet mjekesore paguhen 70% dhe jo 100% si një vit më parë dhe nuk u bëhet asnjë rimbursim për shpezimet e bëra anti-covid,” shtoi Halilaj.
Gazetasi.al ka pyetur pranë autoriteteve shëndetësore për numrin e mësuesve të infektuar dhe për ata që janë vaksinuar para gjashtë muajve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndërkohë shifrat lënë shumë për të dëshiruar. Mësuesit kanë qenë ndër kategoritë e para që janë vaksinuar, por përsëri ata janë tepër të rrezikuar në vendin e punës. Përpos protokollit për kujdesin gjatë zhvillimit të mësimit, duket se shkollat nuk janë shumë të kujdesshme.
Dy javë pas fillimit të vitit shkollor dolën shtatë mësues të prekur nga Covid-19 në shkollën “Koto Hoxhi”.
Por rastet e infektimeve vijuan edhe më tej në qytetin e Gjirokastrës duke u mbyllur edhe një kopësht, pavarsisht faktit se ekpertët e Komitetit Teknik e kanë përcaktuar këtë qytet me një mbulesë vaksinale të lartë.
Gjithashtu edhe shkolla e mesme “Qazim Pali” në Borsh është mbyllur pas një vendimi urgjent, sepse 7 mësues dhe 6 nxënës rezultuan të infektuar, disa mësues dhe nxënës kanë rezultuar me koronavirus.
Në këto kushte Ministria e Shëndetësisë, duhet të thotë se çfarë masash do marrë për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve, ndërsa Ministria e Arsimit të shpjegojë nëse rrezikohet kthimi i mësimit online?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



