Futboll

Më në fund vjen zyrtarizimi i Barcelonës për Ksavin: U ktheva në shtëpi!

Pas disa ditësh të mbushura më zëra dhe zvarritje, tani merr formë zyrtare: Ksavi Hernandez është trajneri i ri i Barcelonës, pas shkarkimit të Ronald Koeman më 28 tetor. “Është momenti për t’u kthyer në shtëpi. Mirë se erdhe, Ksavi”, – shkruan në Tuiter klubi katalanas.

“Nuk ishte një lamtumirë, ishte një mirupafshim”, – shkruan më tej klubi spanjoll në një video që tregon homazhin e lojtarëve të Barcelonës për Ksavin, kur ai la ekipin në vitin 2015, pas 17 vitesh dhe 23 trofesh: 8 tituj në La Liga, 3 Champions, 6 Superkupa Spanje, 2 Kupa të Mbretit, 2 Superkupa të Europës dhe 2 Botërorë klubesh. Me Spanjën ka fituar 2 Europianë dhe 1 Botëror.

Kontrata e Ksavit me Barcelonën zgjat deri në vitin 2024. Ai lë kështu stolin e Al-Sad në Katar dhe të hënën do të prezantohet në “Camp Nou” nga drejtuesit e Barcelonës.

“Do të punojmë fort, jemi Barcelona. Jemi klubi më i mirë në botë dhe klubi më i mirë në botë duhet të fitojë, nuk mund të barazojë dhe humbë, – tha Ksavi në aeroportin e Dohas, para se të nisej për në Barcelonë, sipas ‘Mundo Deportivo’. – Do të përpiqemi t’i bëjmë lojtarët të kënaqur dhe të lumtur. Duhet punë e madhe me objektivin për të fituar. E di që duhet të punoj shumë për të bërë që gjërat të funksionojnë si duhet”.

Në profilin e tij në Instagram, trajneri i ri i katalanasve ka shkruar: “Camp Nou ka qenë gjithmonë shtëpia ime. Tifozët e Barcelonës janë njerëzit e mi, Barcelona është klubi që dua dhe tani jam kthyer në shtëpi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë