Futboll

Video/ Uzuni i shënon Selltikut. Strakosha-Hysaj titullarë në Europë, Kumbulla jo

Disa nga futbollistët e Kombëtares ishin të angazhuar me klubet e tyre në Kupat e Europës ditën e enjte, në Ligën e Europës dhe Ligën e Konferencës. Ai që la gjurmë është Myrto Uzuni, me një gol të bukur të shënuar në ndeshjen me Selltikun.

Sulmuesi beratas realizoi golin e dytë për Ferencvaroshin në humbjen 2-3 në transfertë. Uzuni goditi bukur me të djathtën nga jashtë zonës, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar. Ishte një kënaqësi personale për futbollistin kuqezi, pasi skuadra e tij njeh vetëm humbje në grup dhe mban vendin e fundit me 0 pikë.

Po në Ligën e Europës, Tomas Strakosha dhe Elseid Hysaj, ishin titullarë me Lacion ndaj Olimpikut të Marsejës. Skuadra e tyre barazoi 2-2 në këtë transfertë të vështirë dhe aktualisht mban vendin e dytë në grup. Ishte një barazim i rëndësishëm, pasi Lacio e mban prapa Olimpikun e Marsejës. Ernest Muçi u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes me Napolin, ku Legia e tij humbi thellë, 1-4.

Në Ligën e Konferencës, Roma e Kumbullës sërish nuk mundi të fitojë ndaj norvegjezëve të Bodo Glimt. Mbrojtësi kuqezi qëndroi në stol në këtë ndeshje, që u mbyll në barazim 2-2, çka do të thotë se përgjegjësia e humbjes së thellë në ndeshjen e parë nuk bie vetëm mbi Kumbullën apo ndonjë lojtar tjetër.

Për 90 minuta ka qenë në fushë mbrojtësi tjetër kuqezi, Enea Mihaj. PAOK-u i tij mund në shtëpi nga danezët e Kopenhagenit, me rezultatin 1-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë