Ish-zyrtarët e lartë të FIFA-s, Sep Blatter dhe Mishel Platini, janë akuzuar për mashtrim dhe vepra të tjera në Zvicër. Prokurorët zviceranë, sipas BBC-së, thonë se Blater ka transferuar në mënyrë të paligjshme dy milionë franga zvicerane (2.19 milionë dollarë) te Platini në vitin 2011.
Kjo pagesë, sipas Prokurorëve, “ka dëmtuar asetet e FIFA-s dhe ka pasuruar Platininë në mënyrë të paligjshme”. Blater dhe Platini tani po përballen për këtë çështje në gjyq në Belinzona dhe nëse shpallen fajtorë, ata mund të dënohen deri në 5 vite burg dhe me gjobë.

Çështja është hapur që në shtator të 2015-ës, pasi FIFA, organi që qeveris futbollin botëror, u vu nën akuza për korrupsion. Komiteti i Etikës në FIFA nisi një hetim dhe Blater dhe Platini u përjashtuan nga pozicionet e tyre drejtuese.
Kjo aferë i dha fund periudhës 17-vjeçare të Blaterit në krye të FIFA-s dhe fushatës së Platinisë për të pasuar ish-mentorin e tij. Platini u detyrua të jepte dorëheqjen si president i UEFA-s, pasi humbi çështjen në apel kundër ndalimit të tij. Blater 85 vjeç dhe Platini 66 vjeç, kanë mohuar çdo akuzë.
Çështja zvicerane përqendrohet në një kërkesë për pagesë për punën që Platini bëri për presidentin e atëhershëm të FIFA-s, në periudhën 1998-2002. Prokurorët kanë saktësuar se Platini e kërkoi pagesën “mbi 8 vjet pas përfundimit të aktivitetit të tij këshillues”. FIFA e bëri pagesën prej 2 milionë frangash për Platininë në vitin 2011.

Blater dhe Platini janë akuzuar të dy për mashtrim, shpërdorim, keqmenaxhim dhe falsifikim dokumenttesh. Avokati zviceran i Platinisë, Dominic Nellen, tha për BBC-së se klienti i tij “i mohon kategorikisht akuzat”. Sipas tij, hetimi duhej të ishte ndërprerë shumë kohë më parë.
“Në dosje ka mjaft raporte dhe dokumente të dëshmitarëve, që vërtetojnë pafajësinë e klientit tim, – tha avokati. – Kam 100% besim se do të jemi në gjendje të vërtetojmë pafajësinë në gjykatë”.
Blater ka thënë se priste gjyqin me shpresën që kjo histori të marrë fund. Ai ka bërë të ditur se pagesa për Platininë bazohej në një marrëveshje verbale dhe ishte vonuar ngaqë FIFA nuk mund ta paguante të gjithë shumën në atë kohë.
Blater u shpreh gjithashtu se pagesa ishte miratuar nga “të gjitha organet përgjegjëse të FIFA-s” dhe se Platini e kishte paguar tatimin mbi shumën.

Platini ishte gati për të pasuar Blaterin në krye të FIFA-s, pas dorëheqjes së tij në 2015-ën, por prokurorët amerikanë akuzuan disa drejtues të lartë të FIFA-s për korrupsion, pas një hetimi të gjerë nga FBI-ja. Akuzat erdhën pas një bastisjeje në një hotel luksoz në Zyrih, ku u arrestuan 7 drejtues të FIFA-s. Kur Platini u përfshi në hetim, e tërhoqi kandidaturën për presidencën e FIFA-s.
Komiteti i etikës pranë FIFA-s më pas pezulloi Blaterin dhe Platininë dhe i përjashtoi nga futbolli për 8 vjet. Vitin e kaluar, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut hodhi poshtë një apel kundër ndalimit të Platinisë, për të cilin tha se “ishte i justifikuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




