Futboll

Tiranës i bllokohet merkatoja për 20 mijë euro, klubi shmang “alarmin”

Është një histori e njohur tashmë në futbollin shqiptar bllokimi i merkatos për klube të ndryshme, për shkak të gjyqeve të humbura në FIFA, kryesisht për detyrime të pashlyera ndaj lojtarëve të huaj. Rasti më i fundit ka të bëjë me Tiranën, një klub që e ka hasur shpesh këtë problematikë.

Tirana e ka të bllokuar merkaton aktualisht, sepse nuk ka paguar një detyrim ndaj klubit afrikan Great Olimpics, nga ku ka marrë në 2020-ën dy futbollistët Ibrahim Sulej dhe Isak Giamfi. FIFA i ka dhënë të drejtë klubit afrikan, që pasi priti pagesën dhe ajo nuk u bë, e kaloi çështjen në gjyq. Dhe shuma për t’u paguar në këtë rast është qesharake, 20 mijë euro.

Sulei, kur prezantohej te Tirana. Gazeta Si, 2 nentor 2021

Në klubin kryeqytetas kanë bërë me dije se janë në dijeni të çështjes dhe se ajo do të zgjidhet shpejt, duke shmangur “alarmin” për merkaton e janarit.

Sipas klubit bardheblu, kjo pagesë nuk është bërë deri tani, sepse çështja ka kaluar dorë më dorë nga zyrtarët e mëparshëm të këtij klubi. Një justifikim i papranueshëm ky për një klub profesionist futbolli. Tani pritet që Tiranë të kryjë pagesat dhe të mos ketë probleme me merkaton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë