Futboll

Aritmi kardiake për Agueron, 3 muaj stop dhe rrezik për tërheqje nga futbolli

Tre muaj stop dhe pastaj do të merret një vendim. Kjo është prognoza e parë në lidhje me gjendjen shëndetësore të Serxhio Agueros, i cili gjatë ndeshjes Barcelona-Alavesh ndjeu dhimbje në gjoks dhe kërkoi ndërrim, më pas shkoi në spital për kontrolle më të specializuara.

Të gjithë e kanë ende të freskët momentin kur danezi Kristian Eriksen pësoi një atak kardiak gjatë ndeshjes së Europianit ndaj Finlandës dhe shpëtoi mrekullisht, falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve. Aguero nuk kaloi të njëjtën situatë, por edhe problemi i tij është serioz, aq sa mund të detyrojë edhe për t’u tërhequr nga futbolli.

“Lojtari Kun Aguero ka kryer analizat e nevojshme me doktor Josep Brugada. Ai nuk do të jetë i disponueshëm gjatë tre muajve të ardhshëm, më pas do të vlerësohet efektiviteti i trajtimit për të përcaktuar procesin e rikueprimit”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit katalanas.

Futbollisti argjentinas, me një postim në rrjetet sociale ka dashur t’i falënderojë të gjithë për mbështetjen: “Jam mirë dhe me kurajë do ta përballoj procesin e rikuperimit. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për mesazhet e shumta të mbështetjes që më keni dërguar, zemra ime sot është më e fortë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë