Në historinë e Juventusit ka pasur përvjetorë shumë më të lumtur se ky i kësaj radhe. Bardhezinjtë kanë festuar 124-vjetorin e themelimit, por në një klimë shumë gri, ashtu si moti në Torino. Më shumë se për të shuar qirinjtë, trajneri Masimiliano Alegri, që e ka grumbulluar ekipin në “J Hotel” deri të shtunën, ka menduar të ndriçojë mendjet e lojtarëve pas “blackout”-it në kampionat me Sasuolon dhe Veronën.
Për ta bërë këtë gjë, Alegri ka kërkuar ndihmën e profesor Xhuzepe Verçelit, prej vitesh përgjegjës i sektorit psikologjik të Juventusit. Alegri dhe Verçeli janë kapur nga telekamerat, teksa bisedonin gjatë stërvitjes së hapur. Pas konsultës me psikologun, trajneri është bashkuar me stafin e tij dhe ka drejtuar seancën stërvitore.

“Jemi të gjithë të zemëruar këto ditë, sepse kemi hedhur poshtë gjithë punën e bërë. Ishim rikthyer, por u rrëzuam sërish, ndaj duhet të reflektojmë. Nuk është çështje vlerash teknike, por e një qasjeje ndryshe kur luajmë ndeshjet me ekipet e mëdha dhe ato normale”, – ka thënë Alegri. Juventusi ka shanset që sot në Champions të rikthejë besimin.
Ndaj Zenitit në shtëpi mjafton një pikë për të përmbushur objektivin e parë sezonal, kualifikimin për në 1/8-at e Championsit, kurse fitoja do të kishte peshë edhe garën për Europën për sezonin 2022-23.
Po sot në mbrëmje luhen edhe ndeshjet e tjera të raundit të 4-t për grupet E, F, G dhe H. Atalanta e Berat Gjimshitit pret Mançester Junajtid dhe për të mbetur në garën e kualifikimit duhet të marrë patjetër pikë, pasi aktualisht mban vendin e tretë. Bajerni pret Benfikën, ndërsa Barcelona shkon në Kiev për t’u ndeshur me Dinamon dhe për të synuar fitoren e dytë në grup.
Liga e Kampionëve, ndeshjet e 4-ta në grup
Sot, ora 18:45
Malmo-Çelsi
Volfsburg-Salcburg
Ora 21:00
Atalanta-Mançester J.
Bajern Mynih-Benfika
Dinamo Kiev-Barcelona
Juventus-Zenit
Sevilje-Lilë
Vilarreal-Jang Bojs
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




