Në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë gjatë ditës së hene u diskutua për situatën epidemiologjike në vend, vaksinimet dhe masat e marra për institucionet arsimore.
Njëjtë si çdo herë tjetër edhe në këtë komision nuk munguan debatet për sa i përket shifrave të vaksinimeve dhe infektimeve. E pyetur nga anëtarët e komisionit për shifrat e vaksinimeve, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se duhet të fliste me maskën e vendosur, nëse deputetët do vazhdonin të mbanin maskë, për të zbatuar protokollin.
Por kjo gjë nuk u prit mirë nga anëtarët e Partisë Demokartike. Deputetja demokrate, Oriola Pampuri tha se nuk do ta mbaj maskën në komision kur në auditorë dhe në transportin publik nuk e mban askush maskën dhe nuk respektohen rregullat pasi janë të tej mbushur me qytetarë.
“Unë nuk bëhem pjesë e hipokrizisë tuaj”, tha Pampuri.
Më tej në raportimin e saj Manastirliu tha se mbi 42.000 të rinj kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërkohë që vaksinimi vijon të jetë i hapur për grup moshat +16.
Ndërkaq kryetarja e komisionit Albana Vokshi ka kërkuar me ngulm të dijë se sa mësues e nxënës janë të prekur nga Covid-19 dhe kështu ka nisur debati mes saj dhe Manastirliut duke penguar vazhdimisht fjalën njëra-tjetrës.
Manastirliu ka shpjeguar se ka një mbulesë vaksinale 90% për sa i përket mësuesve.
“Që në datë 13 mars ka filluar vaksinimi i mësuesve dhe i pedagogëve. Kemi vijuar jo vetëm me vaksinimin në shkollë por gjithashtu dhe me vaksinimin në universitetet. Deri më sot janë vaksinuar 28,512 mësues. Kemi një mbulesë të mirë vaksinale për sa i përket vaksinimit me dozën e parë dhe të dytë, mbi 90 % të mësuesve të shkollave fillore dhe të mesme rezultojnë pra të vaksinuar me një dhe dy doza”, tha Manastirliu.
Ndërkohë Vokshi i tha Manastirliut se më herët ka deklaruar se mësuesit janë kategori të veçanta, ndërkohë që ata që janë të prekur nga Covid-19, paguhen me 80% të pagës. Ndërsa ministrja, tha se me të vërtetë ata janë kategori prioritare, duke qenë se janë vaksinuar menjëherë pas mjekëve dhe janë paguar me 100% të pagës.
“Fondi në dispozicion që ka vendosur qeveria është një fond që ka qenë i konsiderueshëm, mbi 12 milion dollarë të vendosur nga qeveria. Qeveria e ka bërë detyrën për vendosjen e fondit për të sëmurët që përfitojnë nga rimbursimi i recetave, ndërkohë që deri më tani janë shpenzuar afro 300 mijë dollarë. Qeveria shqiptare ka vendosur në dispozicion shumën për rimburismin, ndërkohë deri më tani janë dhënë mbi 7500 receta të rimbursuara”, shtoi Manastiliu.
Diskutimi ka vijuar nga Vokshi e cila ka kërkuar vazhdimisht të informohet se sa ka qenë numri i mësuesve që ka marrë rimbursimin e recetave.
“Ju keni bërë deklaratë se mësuesit do të kenë trajtim të veçantë. Keni mashtruar kur keni thënë që janë kategori e veçantë? Kam një mesazh që një mësuese është paguar me 80%”, ka shtuar Vokshi.
Kjo është mohuar nga Manstirliu e cila ka shtuar se po bëhet një ndarje për të përcaktuar se cilat kanë qenë profesionet që kanë përfituar nga paketat e rimbursimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.